Luftë me të gjitha format për t’i rikthyer Parlamentin shqiptarëve

Nga paniku i përballjes me opozitën në Parlament pas debatit në seancën e paradites Rama urdhëroi pezullimin e punimeve të Parlamentit, punimet e të cilit pritej të nisnin rreth pasdites së djeshme. Pasi deputetët u mblodhën në seancë rreth orës 5 pasdite, Ruçi në shkelje të Rregullores njoftoi mbylljen e punimeve pa asnjë argument. Pas këtij vendimi, në një prononcim për mediat, jashtë seancës, kreu i PD, Lulzim Basha e konsideroi pezullimin e punimeve të Parlamentit dëshmi e frikës së Ramës përballë opozitës. “Shkelja e Rregullores është kthyer në normë nga Gramoz Ruçi me urdhër të Edi Ramës. Motivi për të shkelur rregulloren është për të mos lejuar debatin mbi çështjet më të rënda të qytetarëve shqiptarë që kanë të bëjnë jo vetëm me zgjedhjet dhe dhunimin e tyre, që është themeli i së keqes, por edhe me ngjarjet kriminale që kanë mbuluar Shqipërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë dhe personale të Edi Ramës me bandat që sot sundojnë qytetet, që janë jashtë kontrollit të Policisë. Edi Rama i trembet këtij debati dhe do të bëjë gjithçka për ta shtyrë”, u shpreh Basha. Kreu i PD tha se, opozita do të bëjë gjithçka që debati të zhvillohet në Parlament, që shqiptarët të dëgjojnë të vërtetat tronditëse. “Shumë prej tyre e dinë. Vendi është në këtë pikë ku shumica e shqiptarëve duan të largohen, sepse ne nuk qeverisemi nga një qeveri e dalë nga vota, por qeverisemi nga bandat që e sollën Edi Ramën dhe kabinetin e tij në ato karrige ilegjitime ku ulen, dhe që i shfrytëzojnë për një qëllim; për të shkelur ligjin me të dyja këmbët, për të goditur të pafajshmit, për të mbrojtur dhe për t’ju bërë mburojë krimit dhe oligarkëve që po vrasin dhe vjedhin Shqipërinë çdo ditë. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo. Nuk ka asnjë arsye Gramoz Ruçi të shkelë Rregulloren, përveç ankthit të Edi Ramës për t’u përballur me këto të vërteta”, u shpreh kreu i PD. I pyetur nga mediat mbi përjashtimin e deputetit Flamur Noka nga Parlamenti dhe vendimit të Byrosë, Basha paralajmëroi një betejë të fortë të opozitës për të larguar Parlamentin nga duart e krimit dhe rikthimin me çdo mjet të tempullit të demokracisë në duart e shqiptarëve.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë një përsëritje të një Parlamenti kukull në duart e krimit dhe mafias e kukullave të tij që kanë zaptuar ato karrige. Ne do të luftojmë dhe do t’i rikthejmë Parlamentin shqiptarëve me të gjitha format dhe mënyrat që opozita ka në dispozicion dhe për këtë, kërkojmë ndihmën dhe aleancën e çdo shqiptari të ndershëm, së medias së pakapur, të qytetarëve, shoqërisë civile e natyrisht të aleatëve tanë ndërkombëtarë. Ky është fundi i Parlamentit, t’i mbyllësh gojën opozitës. Kemi dy javë që në këtë sallë nuk lejohet debati. Ju jeni dëshmitarë”, u shpreh Basha. Kreu i PD paralajmëroi përplasje të fortë të opozitës me Ramën dhe kastën pranë tij deri në çlirimin e vendit nga krimi, taksat, papunësia dhe keqqeverisja në tërësi.
“Çdo shqiptar e ka parë. Dy javë që nuk lejohet debati. Tepsinë e ka për vete. Timonin e ka për vete. Tani kërkon t’i mbyllë gojën Parlamentit dhe ta zëvendësojë debatin politik me shfaqje të shëmtuara të Frontit Demokratik apo të Frontit Popullor, sido që e quanin dikur. Kjo nuk mund të ndodhë dhe asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht që ta evitojmë këtë krizë. Ne duam me çdo kusht t’i evitojmë shqiptarëve dhe Shqipërisë koston e një përplasje, por ajo është e pashmangshme në qoftëse Edi Rama dhe masha e tij, Gramoz Ruçi e kanë vendosur qeverinë e dalë me votat e krimit në një kurs përplasje me aspiratat e shqiptarëve, për një vend të lirë nga krimi, për një vend me taksa të ulëta, ku mund të jetohet e punohet normalisht”, u shpreh kreu i PD.

A.Shahini

Artikulli paraprakNjeriu me kartelë organizon protestë për vendosjen e TVSH-së biznesit të vogël
Artikulli tjetërShqipëria, vendi me papunësinë më të lartë në Europën Juglindore