Lufta me hakerat, nis sulmi ndërkombëtar

Menaxherët dhe punëtorët e qeverive, organizatave dhe bizneseve, janë rikthyer dje në punë, teksa është rritur frika se pasojat nga sulmi masiv kibernetik mund të përkeqësohen pas fundjavës.
Në Azi, ku efekti i sulmit duket se ka qenë i kufizuar, invesitorët ende janë duke u përballur me kërcënimin nga sulmi i quajtur “WannaCry”.
Sulmi kibernetik, që nisi më 12 maj, ka goditur spitalet, bankat, dyqanet, shkollat dhe agjencitë qeveritare në 150 shtete, duke sulmuar versionet e vjetra të sistemeve operative të Microsoft.
Sulmi, që besohet të jetë më i madhi i kryer ndonjëherë, deri më tani ka prekur 200,000 viktima, në 100,000 organizata në mbarë botën, ka qenë agjencia policore e Evropës, Europol.
Një kërkim ndërkombëtar është duke u zhvilluar për të kapur përgjegjësit, ka thënë Europol.
Në Kinë, ekonominë e dytë më të madhe në botë, në sistemet e pagesave dhe shërbimet qeveritare është raportuar për disa ndërprerje. Autoritetet kombëtare të kibernetikës, janë cituar të kenë thënë më 15 maj, se sulmi ende është duke u përhapur në vend, por është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme.
Firmat japoneze, përfshirë Hitachi dhe Nissan kanë raportuar se kanë pasur probleme, por kanë thënë se operacionet e tyre të biznesit nuk janë prekur seriozisht.
Në mesin e viktimave më të mëdha është kompania amerikane FedEx, ndërtesat e prodhimit të veturave në Evropë, kompania e telekomit në Spanjë “Telefonika”, Sistemi Kombëtar i Shërbimeve Shëndetësore në Britani dhe rrjeti i hekurudhave në Gjermani.
Ministria e Brendshme ruse, ka thënë se disa kompjuterë të tyre janë goditur nga sulmi dhe autoritetet kanë thënë se sistemi bankar rus dhe sistemi i hekurudhave, gjithashtu kanë qenë cak i sulmit, por nuk raportojnë për probleme të mëdha.
Sulmuesit u kanë thënë përdoruesve të kompjuterëve që të paguajnë 300 deri në 600 dollarë, në monedhën që përdoret në internet, që quhet bitcoine, me qëllim që të hiqnin virusin nga kompjuterët e tyre, pasi virusi kishte pamundësuar përdoruesit që të kishin qasje.
Ekspertët kanë thënë se adresat e lidhura me llogarinë e softuerit WannaCry, tregojnë se sulmuesit kanë marrë 32.500 dollarë në bitcoin. Kjo shifër pritet të rritet, megjithëse shumë ekspertë dhe agjenci qeveritare u kanë bërë thirrje personave të prekur nga sulmi kibernetik që të mos paguajnë sulmuesit.
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë thënë se versione të virusit me gjasë do të shfaqen teksa bizneset kanë rifilluar punën e tyre në shumë pjesë të botës.
Presidenti i Microsoft, Brand Smith, ka pranuar se hetimet kanë ardhur në përfundim se, “sulmi ishte zhvilluar duke përdorur mjete të ndërtuara nga Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së, që ishin publikuar online nga hakerët në muajin prill”.
Ekspertët e sigurisë thonë se kompjuterët e sulmuar, kryesisht janë që nuk kishin bërë përditësimet e fundit të Microsoft.
Ata thonë se shumë organizata nuk kishin përditësuar sistemet e tyre për shkak të kostos dhe disa të tjerë, siç janë spitalet, e kanë pasur të vështirë të bëjnë përditësimet pa i ndërprerë operacionet.
“Pres që të dëgjoj më shumë për këtë… kur përdoruesit të jenë kthyer nga pushimi i fundjavës në punë, ata mund të bëhen viktima të këtij sulmi”, ka thënë për “Reuters”, Christian Karam, hulumtues për sigurinë në një kompani me bazë në Singapor.

Artikulli paraprakKush është Ismaël Emelien, strategu i Emmanuel Macron
Artikulli tjetërTillerson: I paqartë ndikimi i ndërhyrjes ruse