Kush është Ismaël Emelien, strategu i Emmanuel Macron

Qysh kur Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron është lëshuar në aventurën për të krijuar një parti të re, të quajtur En Marche!, ka pasur në krah Ismaël Emelien, siç edhe bashkëshorten e tij Brigitte Trogneux. Por Emelien ka qëndruar gjithmonë në hije (emri i tij nuk është as në uebsajtin e partisë dhe nuk gjenden as foto të tij në rrjetet sociale) dhe njëlloj si Macron ka lënë postin premtues në Ministrinë e Ekonomisë pranverën e kaluar, katër muaj përpara shefit dhe mikut personal të tij, tani President i Francës. Sipas të përditshmes “Liberation”, qysh atëherë të dy kishin gjithçka gati për të nisur garën drejt Elizeut.
Ismaël Emelien është vetëm 29 vjeç, por përvoja e tij në botën e politikës nuk është e paktë. I diplomuar në Universitetin Sciences Po, ka studiuar për Shkenca Politike në Euro RSCG (sot Havas Worldwide), është specializuar në globalizim me ekonomistin Daniel Cohen. Vetëm 19 vjeç, Emelien ka qenë pjesë e fushatës elektorale për primaret e Dominique Strauss – Kahn në vitin 2006 dhe më pas është bërë pjesë e Fondacionit Jean Jaures. Takimin e parë me Presidentin e ri francez e ka pasur në vitin 2009, kur Macron ishte bankier tek Rothschild: kanë shkëmbyer përshtypje pas një mbledhjeje me Jacques Attali. Mirëkuptimi ka qenë i menjëhershëm dhe të dy janë bërë të pandashëm. Së bashku kanë krijuar një start up dhe kanë zhvilluar shumë projekte. Zyrtarisht, Emelien është përgjegjës i komunikimeve të Macron, por jo vetëm: kontrollon diskutimet, ka bërë të gjitha analizat e sondazheve të opinionit dhe është një prej mendjeve prapa strategjisë politike të Presidentit të ri francez. Sipas Laurent Bigorgne, drejtues i think tank liberal “Institut Montaigne”, Emelien “është strategu politik më i mirë që ekziston në Paris”. Ka një stil shumë origjinal për të kryer konsulencat e tij” privilegjon modelin strategjik elektoral të start up “Liegey Muller Pons” dhe bën një përdorim metodik të analizës semantike. Në rastin e Macron, receta ka rezultuar fitimtare.
I tërhequr dhe besnik, Emelien nuk e pëlqen publicitetin. Sipas së përditshmes “Le Monde”, pas bashkëshortes Brigitte (të cilës Macron i kërkon këshilla për gjithçka, nga marrja në punë e një bashkëpunëtori të ri në qethjen e flokëve apo zgjedhjen e kollares), Emelien është konfidenti më i afërt me Macron: nuk përdor celular dhe përgjigjet vetëm me sms kur është vërtet e nevojshme. Një anëtar i stafit elektoral ka thënë për “Le Monde” se ai “ishte në korrent të të gjithë manovrës qysh nga fillimi […] Ky është një strateg politik i vërtetë. Mbledhjen e 12 korrikut në Paris, me të cilën Macron është zhbilancuar, duke u premtuar mbështetësve të tij fitoren në zgjedhjet presidenciale – duke provokuar kështu zemërimin e Presidentit Hollande – ka qenë një ide e tij”. Një tjetër anëtar i komitetit elektoral thekson se, Emelien është i vetmi në gjendje që t’i kundërvihet hapur Macron. Dhe lideri i En Marche! E vlerëson shumë kundërshtimin”.
Megjithatë, nuk ka qenë gjithçka mjaltë e qumësht në kurrikulumin e gjeniut të ri francez. Kur punonte në Fondacionin Jean Jaures me Gilles Finchelstein, Emelien ka qenë konsulent i fushatës elektorale të vitit 2013 të Presidentit venezuelian, Nicolas Maduro. Informacioni është konfirmuar nga vetë Finchelstein në botimin francez “L’Express”: “Kemi menduar se Maduro ishte një reformator i vërtetë. Pastaj, gjatë fushatës, e kemi kuptuar se e kishim gabim. Në fakt, kontrata nuk është rinovuar më. Ne e konsideronim Maduro një Lula Da Silva venezuelian”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPërgjigjja e Tillerson për marrëdhëniet me Presidentin
Artikulli tjetërLufta me hakerat, nis sulmi ndërkombëtar