Loja për ta bërë PD-në si bunker të Berishës ka marrë fund me kohë, pse bëjnë si shejtanbudallenj?

Nga Namir Lapardhaja 

Pasi e sulmojnë me gjithçka munden dhe të gjithë leksikun negativ që përmban shqipja, i shtrijnë dorën për të bashkëpunuar.

Pasi thonë se është i mbaruar dhe nuk ka kurrfarë vlere, kërkojnë bashkim me të për të bërë opozitë.

Pasi e quajnë peng, të shitur, e akuzojnë për bashkëpunim me Edi Ramën, i kërkojnë të bëhen bashkë për të rrëzuar mazhorancën socialiste.

Kjo është e pamoralshme, por ka ndodhur sot me dy figura të “Rithemelimit”, të cilët e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lulzim Bashën.

Nëse shefi i tyre pranonte gjithkënd, veç Bashës, këtyre, me sa duket, u është dhënë një rol edhe më i komplikuar, edhe më i ndërlikuar, edhe me absurd, edhe më pak i rrokshëm nga logjika normale.

Ai i shejtanbudallait.

Duan të bëjnë Bashën si veten, ta zbresin në lojën e tyre, duke e vënë në shërbim të imazhit të mbaruar të Berishës.

Nëse do të ishte kjo që ata kërkojnë sot, Basha nuk kishte pse e niste këtë proces, të kërkuar dhe të iniciuar nga amerikanët dhe britanikët.

Nëse Basha do të bashkohej me Berishën, ky nuk do të ishte vetëm fundi i tij, por edhe i Partisë Demokratike.

Kjo lojë e shëmtuar që ditën bëjnë ftesa për bashkëpunim dhe natën bëjnë gjithçka për ta mbajtur konfliktin ndezur dhe për ta thelluar përçarjen, është lehtësisht e lexueshme dhe është pa të ardhme politike.

Është e njëjta gjë që bënë disa kohë më parë, duke i kërkuar dorëheqjen Bashës, sepse pas bërjes së tij një hap pas, do ta bënte edhe Berisha një gjë të tillë.

Basha e bëri lëvizjen e tij, duke i lënë një mundësi dhe duke i dhënë një shtysë bashkimit dhe përfundimit të konfliktit në PD, mirëpo Berisha jo vetëm që nuk e bëri, por edhe ata që i kërkonin Bashës dorëhqejen, vajtën dhe u ulën në prehrin e tij.

Basha mungoi në krye të PD-së për një vit e gjysmë, pse nuk e bashkuan këta Partinë Demokratike?

Basha iku, pse këta nuk i mblodhën strukturat dhe të punonin për ta forcuar PD-në?!

Kur Basha nuk ishte, pse ata u fshehën dhe u futën në pazar me Berishën, duke e ditur shumë mirë që fundi i tij do të ishte i afërt dhe “kauza” e tij nuk ishte e demokratëve, por për të mbrojtur veten dhe familjen nga drejtësia.

Shkaku i përçarjes në PD nuk është Lulzim Basha.

Nëse do të ishte ai, PD-ja do ta kishte shumë të lehtë tejkalimin e kësaj krize të thellë.

Çelësi i bashkimit dhe fundi i konfliktit do të vijë atëherë kur Berisha do të tërhiqet dhe do ta lërë të lirë PD-në dhe opozitën.

Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë do të jetë për opozitën dhe për demokratët.

Nëse Berisha nuk e bën një gjë të tillë, këta që i kërkojnë bashkëpunim Bashës, të bëhen një herë në jetën e tyre politike kurajoz dhe t’i thonë Berishës të ikë dhe ta lërë të lirë Partinë Demokratike.

Edhe atëherë bashkëpunimi do duhet të jetë mbi parime dhe vlera dhe jo mbi pazare dhe karrige deputetësh, siç ata janë mësuar dhe kanë shpresuar gjatë gjithë kësaj kohe.

Artikulli paraprakSpahiu: Socialistët shqiptarë të vetmit në planet që s’kanë ndërtuar një azil pleqsh
Artikulli tjetërZekthi: Qeveria e vendi, në krizë të thellë. Ka luftë brenda PS-së si pasojë e hetimeve të SPAK