Ligji për investimet strategjike kthen investitorët

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që hodhi poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan ligjin për investime strategjike, i njëjti pritet të hyjë në fuqi brenda 15 ditësh, kanë bërë të ditur përfaqësues të qeverisë. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas dekretimit të ligjit nga presidenti i Kosovës, do të fillojë përpilimi dhe hartimi i akteve nënligjore, siç është udhëzimi administrativ për zbatimi e ligjit dhe rregullorja e komisionit ndërministror. “Si ministri i kemi tre muaj afat ligjor për përgatitjen e akteve nënligjore në mënyrë që ligjin ta bëjmë të zbatueshëm. Ne kemi disa projekte dhe asete po ashtu kemi edhe disa investitorë që kanë qenë të interesuar në të kaluarën, mirëpo për shkak të procedurave të stërzgjatura të tenderimit nuk kanë hyrë në proceduara investuese”, ka theksuar ministrja Bajrami. Ligjin për investime strategjike, ministrja Bajrami e konsideron të domosdoshëm, duke pasur parasysh, siç thotë ajo “se në Kosovë janë privatizuar shumë asete të rëndësishme që shpesh kanë përfunduar në duart e njerëzve, të cilët kanë pasur kapital që t’i blejnë si asete, por që nuk kanë pasur projekte apo vizion për t’i funksionalizuar ato fabrika apo asete”. Ministrja Bajrami ka sqaruar se ligji për investime strategjike jep dy versione për investitorët potencialë. Versioni i parë është që investitorët “të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë dhe për të marrë në këmbim të investimit asete të ndryshme, resurse natyrore apo objekte bëjnë propozimet e tyre në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)”. Ndërkohë, alternativa tjetër që e jep ligji sipas ministres Bajrami, “është që qeveria e Kosovës të përgatisë një listë të projekteve strategjike, të cilin e shpall e pastaj investitorët do të vijnë të investojnë sipas interesave të tyre që kanë për sektorë të ndryshëm”. “Një projekt që pothuajse e kemi të gatshëm është projekti i Brezovicës, por për këtë projekt nuk vendosim vetëm ne si ministri, aty vendos Komiteti Ndërministror, i cili do të themelohet në bazë të Ligjit për Investime Strategjike dhe përbëhet nga disa ministra, kryetari i Komunës në të cilën zhvillohet projekti dhe ky Komitet vendos në çfarë forme ta zhvillojë projektin”, ka theksuar Bajrami.

Artikulli paraprakKosovë, politikat ekonomike, ndikuan në uljen e normave të interesit
Artikulli tjetërGjiknuri duhej të ishte në burg për mospagim të energjisë