Rritja e çmimeve më 2016-n, 78% u krijua nga ushqimet

Rritja e çmimeve të ushqimeve dominoi rreth 78% të rritjes së përgjithshme (inflacionit) më 2016. Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë, inflacioni në tremujorin e katërt 2016 shënoi një rritje 1.9%. Në këtë masë, 1.5% i takon kontributit që dhanë rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara me 0.6% dhe ushqimeve të përpunuara (fruta dhe perime) me 0.9%. Inflacioni mesatar vjetor i vitit 2016 rezultoi në nivelin 1.3%. Sipas Bankës së Shqipërisë, profili i tij u karakterizua nga një rënie e shpejtë në tremujorin e parë, një stabilizim në vlera të ulëta gjatë tremujorit të dytë dhe rritje progresive në tremujorin e tretë dhe të katërt. Norma mesatare e inflacionit gjatë gjashtëmujorit të parë ishte në nivelin 0.7%, ndërkohë që ajo e gjashtëmujorit të dytë shënoi vlerën 1.9%. Reduktimi i inflacionit në muajt e parë të vitit erdhi si pasojë e goditjeve të ofertës, të shprehura në rënien e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, të naftës dhe të shërbimeve të lidhura me të. “Rënia e shpejtë e inflacionit në fillim të vitit nuk ishte një dukuri e veçuar e ekonomisë shqiptare: inflacioni i Eurozonës dhe i vendeve të rajonit u luhat po ashtu në vlera shumë të ulëta, madje dhe negative, në këta muaj”, analizoi banka. Nga ana tjetër, rritja e inflacionit në gjysmën e dytë të vitit reflektoi dobësimin e goditjeve të ofertës dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, si pasojë e ngushtimit të hendekut negativ të prodhimit. Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet në masën më të madhe nga kontributi i inflacionit të çmimeve të ushqimeve. Të dy kategoritë kryesore të ushqimeve, ato të përpunuara dhe ato të papërpunuara, pësuan një rënie të inflacionit gjatë gjashtëmujorit të parë në reflektim të rënies së përgjithshme të çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore. Më tej, inflacioni i tyre shfaqi shenja rikuperimi gjatë gjashtëmujorit të dytë, në përgjigje të rënies së presioneve dezinflacioniste nga çmimet e huaja dhe të kostove më të larta prodhuese në industrinë përpunuese ushqimore për tregun vendas. Prirje rritëse ndoqi edhe inflacioni i kategorisë “Mallra të konsumit joushqimor”, i ndikuar kryesisht nga ecuria e çmimeve të karburanteve në vend. Pas një periudhe të gjatë me kontribut negativ në inflacionin total (dhjetor ’14-gusht ’16), kjo kategori ktheu kahun drejt vlerave pozitive në rritje. Kontribut pozitiv në dy muajt e fundit të vitit ka gjeneruar edhe rritja e çmimeve të artikujve të tjerë të kësaj kategorie. Ecuria e çmimeve në kategorinë “Strehim” iu rikthye kontributeve të lehta pozitive në inflacionin total nga tremujori i dytë i vitit 2016. Gjithashtu, inflacion dhe kontribut në rritje, në muajt e verës, ka shënuar edhe kategoria “Shërbime”, kryesisht nga rritja e çmimeve të shërbimeve të transportit.

Artikulli paraprakShqipëria rrezikon penalizimin nga Komuniteti i Energjisë
Artikulli tjetërLiberalizohet tregu energjetik