Lëvizja e tretë e Facebook

Mark Zuckerberg njoftoi modelin e ardhshëm të biznesit të firmës së tij. Nëse ai funksionon, gjiganti i rrjetit social do të bëhet privat dhe më i fuqishëm

Ndryshimi i parë i madh për Facebook ndodhi gjatë periudhës 2012-‘14. Naviguesit e internetit po përdornin gjithnjë e më shumë smartphone-t e tyre sesa kompjuterët apo laptopët, shkruan The Economist.

Mark Zuckerberg iu përshtat zgjedhjes së tyre duke e bërë aplikacionin e Facebook që të përdorej më lehtë në celularë sesa në kompjuterë, si dhe bleu edhe dy aplikacioneve të tjera, si WhatsApp dhe Instagram. Lëvizja funksionoi dhe rezultoi të ishte e suksesshme, me një rritje nga 60 miliardë dollarë në fund të vitit 2012 në 600 miliardë dollarë në 2018.

Në 6 mars të këtij viti, z. Zuckerberg njoftoi lëvizjen e ardhshme të Facebook, që ka të bëjë me një “platformë të përqendruar kryesisht në ruajtjen e privatësisë” të aplikacioneve WhatsApp, Instagram dhe Messenger. Këto aplikacione do të jenë të integruara dhe mesazhet që do të dërgohen nëpërmjet tyre do të jenë të koduara, në mënyrë që as Facebook vetë të mos ketë akses t’i lexojë ato.

Ky ndryshim i madh është vonuar për shkak të problemeve të fundit që kanë goditur Facebook në lidhje me skandalet e privatësisë. Edhe pse z. Zuckerberg në publik duket sikur nuk e kupton gravitetin e situatës së Facebook, jo më kot këtë herë e ka vendosur çështjen e privatësisë në plan të parë, madje ai e ironizoi këtë gjë, duke thënë se, edhe pse ne nuk kemi një reputacion të fortë në lidhje me ndërtimin e shërbimeve mbrojtëse për privatësinë, ne do të bëjmë të pamundurën që kjo platformë të jetë sa më e suksesshme.

Z. Zuckerberg pretendon se të gjithë përdoruesit do të përfitojnë nga plani për të integruar aplikacionet e tij të mesazheve në një rrjet të vetëm të koduar. Përmbajtja e mesazheve do të jetë e sigurt jo vetëm nga hacker-at por edhe nga vetë Facebook. Platforma do të mundësojë edhe shërbime të reja fitimprurëse. Por kujdesi dhe skepticizmi që ne duhet të tregojmë në këtë drejtim vjen si pasojë e tre arsyeve të rëndësishme.

E para ka të bëjë me faktin se Facebook-u prej kohësh akuzohet për mashtrim të publikut mbi privatësinë dhe sigurinë, kështu që të gjitha qëndrimet skeptike ndaj propozimeve të fundit të z. Zuckerberg janë më se të kuptueshme. Ai mbase është duke i fshehur edhe përfitimet që kjo platformë për drejtimin e rrjeteve të integruara të mesazheve do të sjellë në firmën e tij, edhe nëse ato janë të koduara në atë mënyrë që edhe vetë Facebook të mos ketë akses për të parë përmbajtjen e tyre.

Vetëm të dhënat që Facebook-u ka në dispozicion, për shembull se kush po flet me kë dhe për sa kohë ata flasin me njëri-tjetrin, do t’i japin mundësinë për të nxjerrë reklamat sipas target-grupeve më të interesuara, gjë që do të thotë se modeli i tij i reklamimit do të vazhdojë të funksionojë ende dhe madje edhe të jetë më i suksesshëm. Mesazhet e koduara do ta bëjnë Facebook një biznes më të lehtë për t’u menaxhuar.

Duke qenë se edhe për vetë Facebook nuk do të ketë akses mbi mesazhet e koduara, kjo firmë do të ketë më të lehtë për ta justifikuar veten në lidhje me mbajtjen e përgjegjësive për përmbajtjen e mesazheve që do të dërgohen nëpërmjet aplikacioneve të saj. Nëse ndryshime të tilla do të realizohen, dominimi i Facebook mbi mesazhet ndoshta do të rritet.

Përfitimet e reja të përdoruesve të një Facebook më të integruar mund t’ia vështirësojnë ndoshta punën rregullatorëve që të mbledhin fakte të shumta se firma e z. Zuckerberg duhet të mbyllet.

Planet e Facebook-ut në Indi ofrojnë disa të dhëna në lidhje me këtë model të ri. Ai ka ndërtuar një sistem pagese në aplikacionin e WhatsApp, që është njëkohësisht edhe ai më i përdoruri në këtë shtet. Ky sistem është në pritje të miratimit rregullator. Tregu është gjigant.

Edhe në pjesën tjetër të botës, përdoruesit mund të tërhiqen nga lehtësitë e përdorimit të rrjeteve të reja të Facebook. Strategjia e fundit e z. Zuckerberg është padyshim e zgjuar, por kjo nuk do të thotë që ne të mos tregohemi të kujdesshëm, sepse goditja e radhës e këtij rrjeti mund të jetë fare pranë.

Artikulli paraprakForcat pushtuese të George Soros
Artikulli tjetërBato Haxhiu, Andi dhe struktura serbo-ruse në Kosovë