Lëndët kimike në mitingun e PD, akt terrorist me prapavijë politike

Dëmtimi i 140 personave në mitingun e hapjes së Partisë Demokratike, duket se është një akt i qëllimshëm, i cili ka rrezikuar të kthehet në tragjedi. Edhe sot pas dy ditësh ende nuk është zbardhur ekzaktësisht se çfarë është hedhur në atë miting, por burime policore janë shprehur dje se, akti ka qenë i qëllimshëm. Madje portali 360grade.al ka shkuar dhe më tej kur flet për një atentat ndaj liderit të opozitës, i cili të dielën anuloi dhe takimet që kishte në Qarkun e Lushnjës. Duket se kemi të bëjmë me një akt terrorist me prapavijë politike.

Simptomat

Vetëm 30 minuta pas takimit në Urgjencën e Tiranës, dhe në Durrës e Elbasan u paraqitën fillimisht 76 persona që kishin simptoma të njëjta. Kruarje lëkure, djegie sysh, marrje mendsh dhe të vjella. E përbashkëta e tyre ishte se të gjithë kishin qenë në mitingun e Partisë Demokratike. Grupit të parë më pas iu shtuan dhe persona të tjerë dhe numri shkoi në rreth 140. Interesant është fakti se, të gjithë ata që përfunduan në spital ishin persona që kishin qenë në vijën e parë të tribunës afër liderit demokrat Basha. Mediat afër Ramës u munduan një herë tia hedhin fajin ajrit që ish përdorur për të fryrë tollumacet në miting, dhe më pas prozhektorëve të mitingut. Në fakt të dyja arsyetimet nuk qëndrojnë. E para, sepse tollumbacet që u përdorën në atë miting nuk plasën, dhe e dyta, të prekurit e parë do të ishin punëtorët që kanë punuar me to, por raste të tilla nuk janë prezantuar. Sa për prozhektorët mësojmë se  shumica e tyre janë të njëjtët që u përdorën për 90 ditë rresht në çadrën e protestës, në një ambjent shumë më të vogël e të mbyllur dhe nuk ndodhi ajo që ndodhi. Dyshimet e Prokurorisë dhe organeve të tjera të hetimit, janë përqendruar kryesisht tek një akt i qëllimshëm.

Basha

Pasi ka marrë mjekim në spital, lideri demokrat Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta për helmim të qëllimshëm të tijin dhe të mbështetësve të Partisë Demokratike që gjatë ditës së shtunë ndodheshin në mitigun që çeli fushatën e kësaj force politike, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. “Kam folur me shumë prej të prekurve, fatmirësisht efektet janë anësore dhe të përkohshme, jo serioze dhe të gjithë janë të vendosur. Të gjithë e dimë, që kjo nuk ishte një tullumbace. Ndërsa presim zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, kushdo qofshin ata…Kjo nuk ishte tullumbace. Eshtë detyra e autoriteteve shtetërore të vendosin para përgjegjësisë autorët, kushdo qofshin. Nëse nuk ndodh, kjo është një tjetër provë e gjunjëzimit total të shtetit. Ne do të bëjmë analizën tonë”, u shreh ai. Kreu demokrat tha se, asgjë nuk do ta ndalë në rrugën e nisur, duke lajmëruar se do të vazhdojë fushatë.  “Ne nuk do të ndalim. Unë do të vazhdoj fushatën sonte në orën 19:00, në mitingun hapës në qytetin e Fierit. Asgjë nuk do të më ndalë mua dhe opozitën e bashkuar drejt fitores!”, përfundoi Basha.

Dyshimet e antiterrorit: Ngjarja nuk ka qenë e rastësishme

Uniformat blu dyshojnë se gjatë mitingut të Partisë Demokratike, pasditen e së shtunës, në turmën e njerëzve është hedhur lëndë kimike, që ka shkaktuar shqetësime shëndetësore tek pjesëmarrësit në tubim. Për këtë arsye, specialistët e krimeve ndaj jetës kanë nisur hetimet, të mbështetur edhe nga Prokuroria dhe Garda e Republikës. Në vendngjarje pas konstatimit të ngjarjes  mbërritën edhe kimistët e ushtrisë, të cilët, në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova. Por, gjatë këqyrjes së bulevardit dhe trotuareve pranë Kryeministrisë, ekspertët nuk gjetën asnjë sendiment të dyshimtë, pasi skena e krimit nuk u ngrit menjëherë pas mitingut nga policia, por në 7 të mëngjesit, kohë pasi punonjësit e bashkisë kishin pastruar sipërfaqen që në të gdhirë. Megjithatë, ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave. Në hetime janë përfshirë edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Kundërzbulimi i Shërbimeve Inteligjente, pasi nuk përjashtohet as mundësia e ngjarjes me qëllim destabiliteti nga faktorë të jashtëm.
Një qytetar që ishte në hapjen e mitingut të PD ditën e shtunë dhe që u prek nga reaksioni kimik, ka treguar se u hodh pluhur nga godina e Kryeministrisë, kur fjalën e mori kryedemokrati Lulzim Basha. Në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”, 35-vjeçari nga Tirana me inicialet B.K., pohon se pluhuri ka nisur të hidhet gjatë kohës që në podium ishte ngjitur për të mbajtur fjalën kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Por duke menduar se tymnaja e krijuar ishte për efekt fushate, nuk i ka dhënë rëndësi.

Qytetari: Pluhuri i bardhë u hodh nga ana e Kryeministrisë!

-Keni qenë pjesë e mitingut të Partisë Demokratike dje. Sa larg podiumit ishit?
Kam qenë dy metra larg podiumit.

-Kur nisën shqetësimet e para?
Pak orë pas mitingut, rreth orës 10 të darkës. Kam pasur dhimbje të mëdha tek sytë, irritim të qepallave dhe dhimbje koke.

-Në urgjencë, kur u paraqitët?
Nuk e kuptova menjëherë. Mendova se ishte diçka kalimtare dhe nuk i dhashë tepër rëndësi. Por gjatë ditës së sotme, kur pashë atë që po ndodhte, kuptova se nuk ishte rastësore. Erdha që të vizitohem. Na dhanë mjekimin dhe u ktheva në shtëpi. Prej merakut jam rikthyer sërish.

-Çfarë thanë mjekët kur ju vizituan? Nga se mund të jetë shkaktuar?
Nuk e kanë përcaktuar nga se është shkaktuar. Dëmtimi që kam pësuar është i dukshëm, por janë të paqarta shkaqet.

-Ju keni dyshime?
Mbaj mend diçka, por nuk i kam dhënë rëndësi. Është hedhur pluhur në distancë 4 metra larg podiumit nga ana e Kryeministrisë në drejtim të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mendova se ishte për efekt fushate, pra diçka festive, ndaj nuk i dhashë rëndësi. Më pas e bëra lidhjen.
-Kur ndodhi kjo?
Në momentin që mori fjalën kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Personat e tjera me të cilët ishit të shoqëruar, a kanë pasur shqetësime të ngjashme? Në dijeninë time janë dy-tre persona që janë hasur me simptoma të ngjashme

Artikulli paraprakNishani: Sulmi ndaj Bashës e opozitës, i instrumentalizuar
Artikulli tjetërBasha në Dibër: Derë më derë për të ringjallur shpresën e vdekur