Largohet Fatih Terim

Skandalit nuk i shpëton as Perandori. Fatih Terim nuk është më trajner i Turqisë. Lajmi u zyrtarizua nga Federata turke e Futbollit. Ish-trajneri i Milanit, Fiorentinës e Galatasaray-t, ndoshta emri më i madh i trajningut që ka nxjerrë futbolli turk, e mbyll në këtë mënyrë edhe etapën e tij të tretë në udhëheqje të kombëtares pas dy periudhave të mëparshme gjatë viteve 1993-1996 dhe 2005-2009. Rezultati i tij më i mirë mbetet vendi i tretë në Europianin e vitit 2008. Siç bën të ditur e përditshmja turke “Hurriyet”, Terim largohet pas skandalit të thuajse dy javëve më parë kur u përfshi në një zënkë me pronarin e një restoranti në qendrën turistike të Alaçati.
Mediat turke bëjnë të ditur se zënka ka ndodhur pasi personi me të cilin u konfliktua fizikisht Terim ka pasur një rivalitet të vjetër me dhëndrin e teknikut, edhe ky pronar i një strukture në afërsi të asaj ku ndodhi incidenti. Personi në fjalë ka bërë një denoncim penal kundër Terim që i duhet të merret edhe me drejtësinë, ndërsa imazhet e zënkës të kapura nga një nga kamerat e survejimit janë shfaqur gjerësisht në mediat turke.

Artikulli paraprakNolito nga City kthehet tek Sevilla
Artikulli tjetërThomas Lemar objektivi i Arsenalit