Lahm përplas Hënesin me Rumenigen

Dy bosët e Bajernit, Uli Hënes dhe Karl-Hainc Rumenige, janë dakord që pozicioni i drejtorit sportiv është shumë i rëndësishëm. Që pas dorëheqjes së Matias Zamerit, ky pozicion ka qenë vakant. Krerët e lartë të Bajernit kanë vendosur që drejtori sportiv të jetë gati për sezonin e ri.
Por, qëndrimet e tyre kanë qenë kontradiktore. Drejtori i Bordit Ekzekutiv, Karl-Hainc Rumenige, gjatë Asamblesë së Përgjithshme la të nënkuptohej se ky post është prenotuar nga Filip Lahm. “Ne kemi ndërmend një, emrin e të cilit me siguri e keni dëgjuar. Atë do të marrim edhe ne, por për momentin atij i duhet të luajë ende futboll”, iu përgjigj Rumenige pyetjes së gazetarëve për drejtorin sportiv. Kontrata e Filip Lahm skadon në vitin 2018.
Dy drejtuesit e lartë, Rumenige dhe Hënes, duket se nuk po koordinohen siç duhet në lidhje me emërimin e drejtorit sportiv. Gjatë vizitës së fanklubit në Vunzidel ditën e dielë, Hënes konfirmoi se drejtori sportiv do të emërohet që në fillim të sezonit të ri 2017- 2018, por nuk do të jetë Lahm.
“Thashë që për sezonin e ri do të njiheni me drejtorin e ri sportiv. Kaq! Aktualisht, Filip Lahm ka një kontratë deri më 30 qershor 2018, e cila as nuk është prishur dhe as nuk është diskutuar. Rumenige nuk tha që Lahm do të jetë drejtori sportiv nga 1 korriku 2017. Ky pozicion është shumë i rëndësishëm për klubin, prandaj do duhet kohë për të marrë vendimin e duhur”, deklaroi presidenti Uli Hënes.
Sipas “Kicker”, Hënes mendon se, Lahm i duhet Bajernit si lojtar deri në 2018. Një moskoordinim mes tyre ka pasur edhe në rastin e transferimit të Mats Humels. Hënes pati thënë se ishte Humels që trokiti në derën e Bajernit, por Rumenige e përgënjeshtroi, duke sqaruar se ishin ata që kontaktuan qendërmbrojtësin.

Artikulli paraprakShpërthen Higuain
Artikulli tjetërPutin: Gati për bashkëpunim me SHBA-të