Shpërthen Higuain

“Thuhen shumë gjëra, por pastaj kur bën gol gjithçka kalon”. Gonzalo Higuain u përgjigjet kritikëve, ndërsa flet për momentin e tij dhe atë të Juventusit. Sulmuesi është vënë nën akuzë për mungesën e golit në këto ndeshjet e fundit, por vetë Higuain është i sigurt në forcat e tij dhe e ka përgjigjen gati.
“Kritikët? Le të flasin. Nëna më thotë se me 36 gola në 35 ndeshje vitin e kaluar i mësova keq të gjithë dhe tani nëse nuk shënoj për 4 ndeshje konsiderohet një katastrofë. Sidoqoftë e gjitha kjo më bën mirë, pasi është një motiv për të dhënë akoma më tepër”, u shpreh Higuain.
Për të kujtuar se kritikat shpesh rezultojnë të pabazuara, Higuain i rikthehet edhe një herë atyre që ndodhën gjatë verës, kur të gjithë ishin kundër tij, duke i vënë në dukje se ishte paraqituar te Juventusi mbipeshë.
“Kam shënuar më shumë se 300 gola në karrierë dhe goli i parë me Juventusin nuk ishte një motiv për t’u çliruar. Por gjithsesi ishte një verë e vështirë. Më “masakruan”, thanë që isha në gjendje të keqe dhe shumë gjëra të tjera. Pastaj hyra në lojë, shënova dhe për të gjithë isha në formë të shkëlqyer. Këtë ndonjëherë nuk e kuptoj fare”, tha ai.
Për sa i përket disfatës së fundit në Genoa, Higuain u shpreh se një skuadër si Juventusi nuk mund të pësojë 3 gola në gjysmë ore lojë, ndërsa rrëfeu edhe një detaj interesant në lidhje me fëmijërinë e tij. “Kur isha 10 muajsh kalova meningjitin. Nuk më kanë treguar gjithçka, por ishte diçka e rëndë. Falë mjekëve dhe familjes ja kam dalë”, tha Higuain.
Në fund, Higuain përgënjeshtroi dhe zërat se ishte kërcënuar para pak ditësh dhe ishte detyruar të lëvizte me një eskortë sigurie,  duke siguruar se asnjë nga të dyja nuk ka ndodhur.
Ndërkohë, Elseid Hysaj rrezikon të mos jetë në sfidën e kësaj jave të Serisë A kundër Interit. Mbrojtësi shqiptar është dëmtuar në ndeshjen e fundit me Sassuolon dhe pavarësisht se po përkushtohet që të jetë i gatshëm për sfidën me zikaltërit është në dyshim për t’u aktivizuar nga Sarri në ndeshjen e kësaj të premteje. Lajmi është bërë i ditur nga menaxheri i lojtarit, Mario Giuffredi, i cili për një radio italiane bëri të ditur se goditja e marrë në ndeshjen me Sasuolon ishte e ashpër dhe kora e riaftësimit është e shkurtër ndaj vështirë se mund t’ja dalë mbanë për të qenë në fushë nga minuta e parë.
Hysaj në fakt ishte në dyshim dhe për ndeshjen e së hënës me Sassuolon, madje u tha se ai nuk do të ishte i gatshëm për atë takim por Hysaj, jo vetëm që u aktivizua, por ishte dhe titullar gjithashtu. Ndaj një riaftësim i mundshëm i tij nuk është për t’u përjashtuar dhe pse menaxheri i mbrojtësit kuqezi ka pranuar se aktivizimi i tij do të jetë i vështirë.

Artikulli paraprakMbreti i mesfushës në Angli, Henderson është Xherrard i ri
Artikulli tjetërLahm përplas Hënesin me Rumenigen