Laboratori i kokainës, amnistohet banda e Xibrakës

Ulet dënimi për bandën e kokainës në Laboratorin e Xibrakës. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lehtëson ndjeshëm dënimet e 9 personave të akuzuar si pjesë e grupit kriminal që trafikonte kokainë përmes laboratorit të Xibrakës. Shkalla e Dytë e Krimeve të Rënda, ka pranuar gjykimin e shkurtuar për 9 të akuzuarit për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Me këtë vendim, 9 të akuzuarit, mes të cilëve edhe nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, do të përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit të dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Nga 104 vite burg që dha Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për 9 të pandehurit e dosjes “Xibraka”, Apeli ka pranuar gjykimin e shkurtuar, duke ulur dënimin në total me 69 vite e 4 muaj burg.
Të gjithë të pandehurit përfituan uljen e dënimit me një të tretën. Përfundimisht Genci Xhixha dënua në mungesë me 8 vite e 8 muaj burg nga 13 që e kishte dënuar Shkalla e Parë. Xhixha, sipas prokurorisë, ishte drejtuesi i kësaj organizate dhe është ende në kërkim nga policia.
E njëjta masë dënimi u dha edhe për Saimir Batkun.
Ndërsa Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha u dënua me 6 vite e 8 muaj nga 10 që ishte denimi i parë.
Dy kolumbianëve Cesar Avila dhe Valter Moreno iu ulën 4 vite nga dënimi i Shkallës së Parë duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burg. Po me 8 vjet heqje lirie u dënua Ilir Hyseni.
7 vite e 4 muaj burg do të vuajnë, Gentian Gjoni dhe Klement Dalipi, ndërsa Arjan Dalipi u 6 vite e 8 muaj.
Në ndryshim nga Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesat për gjykim të shkurtuar për nëntë të akuzuarit, kërkesë kjo që i ishte refuzuar nga gjykata më e ulët. Ky vendim i Apelit, ka bërë që të gjithë të akuzuarve u ulet një e treta e dënimit të dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ermal Hoxha u arrestua bashkë me disa persona të tjerë pas zbulimit të laboratorit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Në total të gjithë 9 të pandehurit Gjykata e Shkallës së Parë dha 104 vite burgim që varionin nga 10 deri në 12 vite. Prokuroria përgjatë gjykimit këmbënguli se të 9 të dyshuarit krijuan një grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikun e drogës, duke importuar në Elbasan një sasi lënde në përmbajtje të të cilës fshihej kokainë. Për këtë qëllim, sipas akuzës, ata ngritën edhe një laborator, ku përpunohej lënda bazë derisa nxirrte formën përfundimtare të drogës të gatshme për t’u hedhur në treg.
Gjatë operacionit të kryer pas hetimeve të Interpolit bazuar veçanërisht mbi përgjimet e njërit prej të dyshuarve, shtetasit Saimir Batku ju sekuestrua në Tiranë në një mjet xhip 19 kg kokainë e prodhuar në të njëjtin laborator. Me bandën e Xibrakës ka bashkëpunuar edhe Olsi Rama, vëllai i kryemibnistrit Rama. Ish-Kryeministri Berisha e ka akuzuar publikisht disa herë Olsi Ramën se ka kaluar 5 herë jashtë shtetit me makinën e Genci Xhixhës me drogë, ndërsa kryeministri Rama nuk ka reaguar asnjë herë.

Artikulli paraprak863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, shtyhet seanca ndaj Orest Sotës
Artikulli tjetërSkandal, Ministria e Drejtësisë bllokon hetimet për Tahirin