863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, shtyhet seanca ndaj Orest Sotës

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të rivlerësuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj Orest Sotës është shtyrë. Bëhet e ditur se shkak është bërë mbingarkesa e gjyqtares që ka çështjen. Masa e sigurisë ndaj Sotës u caktua fillimisht nga Gjykata e Elbasanit, pastaj çështja i kaloi Krimeve të Rënda.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë euro dhe dy patenta mjetesh lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Krimet e Rënda kërkojnë të cilësohet i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, ka dyshime se Sota nuk justifikon paratë dhe ka dyshime se janë produkt i aktivitetit kriminal. Orest Sota u la në burg në 4 nëntor nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë, drejtim pa leje të mjetit, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash. Por duke qenë se në makinën e 25-vjeçarit u gjetën patenat e ish-ministrit Tahiri, dosja iu bashkangjit çështjes Tahiri-Habilaj, e cila po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor, por policia e mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.

Artikulli paraprakKorrupsioni me tenderat, ish-vartësi fundos Zoton: Të solla 20 milionë lekë në zyrë
Artikulli tjetërLaboratori i kokainës, amnistohet banda e Xibrakës