“La Violencia” ose konflikti kolumbian

Besnik ALIAJ

Zgjedhjet në Dibër mbaruan! Tashmë nuk ka më rëndësi se kush fitoi, se sa mënyra dhe konteksti se si fitoi! Të kuptohemi nuk po flas për të sapozgjedhurin në këtë detyrë. Atij dhe dibranëve i uroj veç mbarësi e sukses në zgjedhjen e tyre, edhe pse jam i bindur se fituesi i vërtetë dhe ajo për çfarë kishte nevojë Dibra, ishte absolutisht tjetër kush e tjetër gjë! Aq më tepër që vetë Dibra nuk është as meka e demokracisë, sesa një termometër rastësor për të kuptuar realisht se çfarë ndodhi “underground” për zgjedhjet e ardhshme në nivel kombëtar…
Por pas 3 viteve kosto qeverisje, kur projekti më kryesor i rrugës së Arbrit ka dështuar, dhe ish-bashkiaku socialist ishte larguar nga një skandal rrënues dhe PDIU është de fakto pa bazë reale elektorale në këtë rajon … dhe për më tepër kur vetë opozita jo vetëm nuk bie nga kuotat e votave, por merr aq sa herë tjetër ka mjaftuar të jetë fituese, duke marrë postin e kryetarit të bashkisë … çuditërisht mazhoranca rritet madje jo pak !!! Duhet të jesh naiv të besosh këtë rezultat. Natyrisht opozita dhe lideri saj kanë shumë gjëra për të ndryshuar, por të akuzosh opozitën është më shumë se verbëri e qëllimshme në kufijtë e talljes me vetveten!
Ndaj sot ju paralajmëroj të gjithëve për çfarë na pret pas një viti! … Sepse tashmë pushteti dhe politika qartësisht i kanë hapur derën e shtëpisë: drogës, konfliktit, dhunës dhe krimit për interesa krejt banale të mbajtjes me thonj të pushtetit… E ndërsa gjithkush po ndjek me ankth çfarë po ndodh, sidomos këtë vit, me shtrirjen e kultivimit të drogës anembanë në vend, të gjithë e dimë mirë çfarë po ndodh dhe ku na çon kjo rrugë, por përveç ironisë askush nuk ngrihet të flasë e protestojë. Madje dikush nxiton që fajin t’ja verë opozitës dhe liderit të saj të ri që është treguar më se qytetar në komunikimin publik dhe institucional (dikur opozita sulmohej se ishte tepër e “ashpër”).
Nga ana tjetër secili mendon: ç’më duhet mua, mjaft që nuk është në shtëpinë time! … Por shumë shpejt tymi i drogës lart në male do zbresi gradualisht në fusha e qytete dhe një ditë do futet në shtëpitë tona, në zyrat e shtetit, në polici, ushtri e gjykata, dhe të gjithë do preken nga kjo mënxyrë kanceroze e pa shërim! Gënjen veten kush mendon ndryshe! Ndaj duhet thënë troç sot: mallkuar qoftë brez pas brezi kujt i shkoi në mendje që të shkonte deri në këtë pikë e përmasë, dhe jo vetëm kaq, por duhet unifikuar urgjent përpjekja qytetare rrotull opozitës sado joperfekte të jetë ajo!
Shkurt pasojat do jenë të paparashikueshme për të gjithë pa përjashtim ne se heshtim … E për ironi të fatit do të preken sidomos ata që nuk kanë faj fare në këtë histori! Mjafton të shikoni çfarë ka ndodhur në Siçili, Kolumbi, Panama, Peru, Meksikë, Afganistan, etj., etj … Raste që të gjitha dëshmojnë për shoqëri ku shteti, e drejta dhe ligji kanë dështuar përfundimisht!
Për këtë qëllim sot dua t’u kujtoj jo pa qëllim përvojën e hidhur të “Konfliktit Kolumbian” që njihet edhe si “La Violenca” për shkak të dhunës që eskaloi në këtë vend si rezultat i dështimit të sistemit politik! … Në 1964, për shkak të rrethanave specifike politike dhe luftës për pushtet, regjimi sundues në Kolumbi i hapi derën kultivimit të drogës në vend … Që nga ajo kohë deri më sot Kolumbia ka hyrë në një luftë pa fund civile midis qeverisë, karteleve të drogës, krimit të organizuar, grupeve radikale marksiste, grupeve paramilitare, popullsisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Sot e kësaj dite në Kolumbi pas disa dekadave lufte, bëhen akoma përpjekje për paqe, por e keqja ka pllakosur vendin dhe nuk largohet më kollaj …
Gjatë kësaj periudhe (1964-2016) në këtë vend janë vrarë të paktën 220 mijë shtetas nga të cilët vetëm 40 mijë kanë qenë luftuës nga gjitha krahët, ndërsa të tjerët janë civilë, shumica të pafajshëm … Vrasjet nuk kanë kursyer as liderët politikë, ndërsa 5 milionë civilë janë detyruar të lënë shtëpitë dhe vendin për shkak të luftimeve, kërcënimeve dhe zhvendosjeve masive që konsiderohen si nga më të mëdhatë e më traumatikët në nivel botëror …
Në se nuk doni të arrijmë këtë pikë, lërini llafet e tepërta dhe teorizimet apo kritikat boshe. Ju keni vetëm dy rrugë: të bashkoheni me opozitën dhe liderin e saj të ri që t’i bëni ballë kësaj gjëme që na pret! Përndyshe vijoni me qurravitjet tuaja se sa imperfekte është opozita dhe zgjatini jetën një establishmenti politiko-mafioz që po rritet dita-ditës drejt një pike të parikthyeshme të tipit kolumbian “La Violencia”! Zoti na ruajtë nga mendë e kokës!

Artikulli paraprakDrogë e armë nga Shqipëria në Itali
Artikulli tjetërGysi i Ramës tek tritoli ndaj Dervishit në Kryeministri