Kush e mban Edi Ramën në pushtet?

Nga Namir Lapardhaja

Është ngulitur një ide te disa se të jesh kundër “Rithemelimit”, të mos mbështesësh lëvizjen e pashpresë të revolucionit të dështuar të Berishës, apo të jesh në antagonizëm me Ilir Metën dhe filozofinë e hajnisë së shtetit, je automatikisht me Edi Ramën.

Kjo mënyrë të menduari vjen si pasojë e një propagande mediatike mëngjes dhe mbrëmje, e cila nuk është vetëm e instrumentalizuar, por edhe mjaft mirë e paguar dhe sponsorizuar, sidomos nga pushteti.

Zgjedhjet e fundit vendore treguan që nuk mjafton konsumimi i kundërshtarit dhe korrupsioni i madh në radhët e pushtetit që ndryshimi të vijë.

Rotacioni i pushtetit nuk mund të vijë as nga egërsia e ligjërimit të protagonistëve kryesor të opozitës.

Mund ta sulmosh gjithë ditën Edi Ramën dhe të mos ndodhë asgjë.

Mund ta polarizosh dhe tensionosh në ekstrem situatën, aq më keq për ty, aq më mirë për pushtetin.

Kjo mund të kënaqë me lugën bosh mendjet e zbrazëta, por nuk të jep asnjë përfitim elektoral në shportën e madhe të ndryshimit të shumëpritur.

Në këtë gjendje ku ndodhet sot qeverisja, në mandatin e saj të tretë, me një mal aferash korruptive dhe skandalesh të mëdha që shfaqen dita-ditës nëpërmjet një mekanizmi ‘skandali mbulon skandalin’, me një ish-zëvendëskryeministër në arrati, disa ministra dhe kryetar bashkish në burg, disa të tjerë që presin në radhë dhe paraqiten në SPAK “për punët e tyre”, logjika e kërkon që qeveria të binte, Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe palët të diskutonin daljen nga kriza.

Jo vetëm që, për momentin, nuk ka gjasa të ndodhë, por Edi Rama është më i lumtur se kurrë, është më i qetë se asnjëherë përballë një opozite të çefterrosur, që nëpërmjet të bërtiturave drekë e mbrëmje fsheh hallet që mund t’i trokasin mëngjesin e ditës tjetër.

Që ndryshimi të ndodhë, që Edi Rama të bjerë, që vendi të ketë të domosdoshme një qeveri tjetër, duhet që opozita të rregullohet, të shpëtojë nga pengmarrja, të krijojë një fizionomi të re, një ligjërim të ri, larg mendësisë së shkuar.

Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita duhet të japë një alternativë politike morale, e pakonsumuar, pa hijet e korrupsionit të së shkuarës.

Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita nuk duhet të përmirësojë vetëm fasadën, por edhe thelbin, nuk duhet të ndryshojë vetëm formën, por edhe përmbajtjen.

Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita, së pari, duhet të fitojë betejën me veten, duke gjetur forca që elementët pozitivë të mbizotërojnë ata negativë, që të ndershmit të triumfojnë mbi të korruptuarit, që progresistët të mundin promovuesit e regresit, që euro-atlantikët të triumfojnë mbi mendësinë bizantine.

“Opozita” që lufton për të shpëtuar nga drejtësia Sali Berishën dhe familjen e tij, nuk mund të jetë asnjëherë opozita që duan të shohin dhe të votojnë shqiptarët për të sjell ndryshimin.
Ajo i ngjan një filmi të parë disa herë dhe nuk mund të rishihet për të shpresuar përfundim tjetër nga hera e parë.

Është ky mjerim dhe kjo situatë që e mban Edi Ramën në pushtet.

Dhe përderisa të mos kuptohet një gjë e tillë, thjesht do të entuziazmohen nga egërsia dhe polarizimi i tejskajshëm, duke vijuar në besimin e justifikimeve: pushteti na vodhi votat i ndihmuar nga tradhtarët e jashtëm dhe të brendshëm, por mbajeni mend çfarë do t’i bëjmë radhës tjetër me protesta popullore.

Artikulli paraprak“Vendet e rajonit nuk po bëhen më demokratike”- Bieber: Faktorët pse BE dhe SHBA nuk ushtrojnë dot presion ndaj qeverive
Artikulli tjetër75 mijë vende pune në rrezik, eksportet e tekstileve e këpucëve shënojnë rënien më të madhe