Voto 6

Edison YPI

Mos u ngatërro me numrat 1 dhe 2. Janë numra pa lezet që s’të kujtojnë asgjë veç hapin ushtarak të zborrit të kurvit nji-dy, nji-dy, nji-dy, dhe orën 1 e orën 2 të natës kur shkon të shurrosh se ke ngrënë shumë shalqi.
6-a është numër i bukur. 6-a është numër magjik. 6 është numër fitimtar. Ke 66666 arsye të votosh 6-ën dhe vetëm 6-ën. 6-a është gjithandej. 6-ën e ke rretheqark. Hojet që kanë brenda mjaltin e bletëve janë 6 këndore. 6 janë faqet e dhomës ku fle, kuzhinës ku ha, ambientit ku punon. 6 këndore janë mijërat e kokave të vidave që ka makina, lavatriçja, shtrydhësi i frutave, dhe pajisjet e tjera që t’i solli demokracia.
Flamuri i Kosovës ka 6 yje. 6 janë hapat që bën nga dhoma te banja, nga kuzhina te ballkoni, nga tavolina te banaku. 6-a e pjestuar me 2-shin e keq është Trini, domethënë numër i bekuar nga Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë. Një ditë para votimit në 6 të mbrëmjes gjej 6 miq dhe iki pi një kafe për 6 palë qefe. Kur të kthehesh nga 6 miqtë dhe 6 qefet, kujto 6 librat më të bukur që ke lexuar, 6 filmat më të mahnitshëm që ke parë, 6 femrat më të bukura që ke puthur.
Në gjumë shiko 6 ëndërra të tmerrshme nga diktatura dhe 6 ëndërra të këndshme nga demokracia. Në mëngjez kur ora e qytetit të bjeri 6 herë, para se të ngrihesh nga shtrati, 6 herë kapsallitu, 6 herë shtriqu, 6 herë kollitu. Para se të dalësh nga shtëpia mbushu 6 herë me frymë, pi 6 gllënka qumësht, ujë, ose çaj, kafsho 6 çapa bukë.
Duke ikur 6666 hapa deri te Qëndra e Votimit, gjej rrugës 66 miq, të cilët t’i bindësh me 666 arsye pse duhet të votojnë numrin 6. Nëse 66 miqtë që do takosh do jenë 66 dembela, 66 budallenj, 66 spiuna, 66 hajduta, 66 mashtruesa, 66 edepsiza nga ata që votojnë numurin 2 ose 1, bindi të votojnë 6-ën se na duhen edhe ata për numër. Nëse para derës së votimit do të gjesh aq persona që po presin sa bashkë me ty do bëheni 6, do të jetë shenjë e mirë se tregon që je këmbëmbarë.
Kur të futesh në kthinën e fshehtë duke mbajtur në dorë fletën me emrat e partive, para se ta vësh shenjën përkatëse te numri 6, aty qëndro pak. Jepi rëndësinë e duhur këtij çasti solemn. Merr frymë thellë. Perëndoi sytë. Kujto disa gjëra; 6 arsye pse diktatura e proletariatit ishte diktatura e halabakëve. 6 arsye prova pse lufta e klasave ishte një sebep për të mbajtur shqiptarët seriozë dhe të ndershëm larg pushtetit. 6 intelektualë që kurvi i vrau vetëm, sepse ishin të tillë. 6 komunista që diktatura i griu gjatë luftës brenda llojit. 6 të vrarë pas shpine. 6 të pushkatuar pa nam e nishan. 6 të varur pa varr. 6 zyra ku ke qenë 66 herë dhe s’ke mbaruar dot punë. 6 nëpunësa që të kanë kërkuar ryshfet. 6 bij ose nipa nomenklaturistash që mbajnë pozita të larta në politikë, 6 në pushtet, 6 në biznes, për asnjë zotësi dhe asnjë talent, vetëm sepse janë pinjoj nomenklature. 6 komunista nga ata që e dogjën Shqipërinë në 1997.
6 gazetarë të shitur që i urren. 6 televizione që të dhembin sytë kur i sheh. 6 miq apo mikesha që kanë ikur në emigracion, sepse këtu punë ka, por vetëm me mik. 6 male që ke ndërment t’i ngjitësh pas pak. 6 lugina marramendëse. 6 lumenj anës të cilëve nuk ngopesh duke kaluar. 6 përrenj gurgullues me shkumë ujin e të cilëve e pi si shampanjë. 6 katunde aq mahnitëse sa kur kalon andej të dalin pa dashje klithma prehistorike si të Tarzanit. Para se fletën e votimit ku ke zgjedhur numrin 6 ta fusësh në kuti me një kënaqësi si të seksit, ulurit 6 herë, sa të tundet dheu, sa të dridhen detet, sa të tremben qiejt; E dua Shqipërinë.

Artikulli paraprakKush e kontrollon tregun e karburanteve?
Artikulli tjetërVetëm birbot gëzojnë duke sharë dhe mashtruar!