Kurum padit në gjykatë doganat

Kurum padit në gjykatë doganat Kompania turke e prodhimit të çelikut Kurum ka paditur doganat shqiptare në Gjykatën Administrative. Në aktpadinë, shoqëria turke kërkon shfuqizimin e detyrimeve të vëna në ngarkim nga administrata doganore, si dhe zhbllokimin e 4 depozitave me solar, të cilat gjenden aktualisht nën sekuestro. Kurum, e cila në vitin 2016 shpalli falimentin, i kërkon gjithashtu gjykatës rimbursimin e akcizës nga ana e autoriteteve shqiptare, si dhe dëmshpërblimin përkatës për bllokimin e depozitave të solarit që nga shtatori i vitit të shkuar. Në vitin 2016 Kurum, një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend, shpalli falimentin duke shkaktuar jo pak frikë në tregun tonë bankar për shkak të kredive të shumta të marra jashtë dhe brenda vendit. Në total, borxhet e Kurum ndaj kredidhënësve arrijnë kuotën e 230 milionë eurove. Rreth 18% e kësaj shume apo 42 milionë euro është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke). Vetë kompania nxitoi të sqaronte në atë kohë se nuk bëhej fjalë për mbyllje të aktivitetit, por për faliment me qëllim ristrukturimin e aktivitetit të shoqërisë, si dhe raporteve të saj me kredidhënësit.

Artikulli paraprakAlegri jep urdhër
Artikulli tjetërCeballos i thotë “po” Real Madrid