Alegri jep urdhër

E ardhmja e Mario Manxukiçit mund të lëkundet. Sulmuesi, i cili rinovoi deri në vitin 2020, pak ditës pas finales së humbur të Ligës së Kampioneve, nuk po ndihet shumë komod, duke parë lëvizjet dhe tentativat që po bën klubi në lidhje me përforcimet e sezonit të ardhshëm.
Ai është shumë dakord që skuadra të afrojë kampionë që ta bëjnë edhe më konkurruese në Europë Juventusin, por fakti që po shtyhet kaq shumë për gjetjen e dy lojtarëve anësorë ofensivë duket si një mungesë respekti ndaj tij. Edhe pse nuk është roli i tij natyral, kroati Manxukiç nuk u kursye në fazën e dytë të sezonit të kaluar që të luajë në korsinë e majtë, ku në 90 për qind të ndeshjeve nuk ngurronte që të sakrifikohej, duke u kthyer deri në mbrojtje, për të mirën e skuadrës.

Dhe fakti se Juventusi po bën çdo tentativë për të sjellë Duglas Kostën nga Bajerni i Mynihut, i cili do t’i merrte pikërisht 30-vjeçarit postin në skuadër, media e vendlindjes së tij flet për një shfaqje nervozizmi nga “Manxu”.
Sipas lojtarit, kjo është një fyerje kundrejt sakrificës së bërë prej tij në sezonin e kaluar, sepse duket se gjithë ato kilometra të përshkruara, dyfish më shumë kundrejt shokëve të tij të repartit, nuk kanë mjaftuar.
Me pak fjalë, nëse Duglas Kosta, apo edhe Federiko Bernardeski (mund të luajë në të dyja krahët, ashtu si Duglas Kosta) mbërrijnë në Torino, atëherë numri 17 mund ta mendojë seriozisht mundësinë për t’u larguar nga Juventusi, sepse minutazhi bindshëm do të zvogëlohej.
Dhe për një luan si kroati është e vështirë që të qëndrojë në “kafazin” e pankinës, prandaj në pritje nëse Kosta dhe Bernardeski do të konfirmohen në Torino, edhe Mario Manxukiç do të bëjë një zgjedhje për të ardhmen.
Dhe duke mbetur te dëshirat e merkatos së Juventusit, trajneri Masimiliano Alegri jo vetëm ka vendosur që ta paraprijë me 48 orë grumbullimin e skuadrës (pritej të ndodhte të hënën, por do të nisë zyrtarisht nga sot), por në të njëjtën kohë ka urdhëruar drejtorin e përgjithshëm, Xhuzepe Marota, që të shpejtojë të paktën blerjen e Federiko Bernardeskit.
Nëse sot nën urdhrat e tij do të mungojnë disa prej titullarëve, të cilët do të vazhdojnë deri më 15 korrik pushimet, brenda kësaj date, ose maksimumi 20 korrikut, Alegri kërkon që ta ketë Bernardeskin në grupin e lojtarëve, që ylli i Fiorentinës ta nisë përgatitjen në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të skuadrës.

Artikulli paraprakShqipëria rrugë tranziti për produktet e falsifikuara
Artikulli tjetërKurum padit në gjykatë doganat