Kurti i përgjigjet Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim.

Në fjalën e tij për Zërin e Amerikës, kryeministri ka theksuar se në lidhje me taksën ndaj mallrave serb do të diskutojë me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë për të parë aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.

“Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik.

Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.”, ka sqaruar Kurti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Kurti i është përgjigjur edhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj i cili përmes një letre i ka bërë thirrje që të mos e heqë taksën ndaj Serbisë.

“Unë qysh në fillim kam deklaruar që tarifat nuk janë në kuadër të vizionit të lëvizjes Vetëvendosje, edhe atëherë kur isha në opozitë. Këtë e kam përsëritur në fushatë, ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit i cili nuk e kuantifikon raportin me Serbinë, por paraqet një kualitet të ri për shtetin e Kosovës.

Në këtë kuptim, unë nuk kam preferuar që të themi se nëse kjo shishe ujë bën një euro kur vije nga Serbia është në rregull të vijë nëse bën dy euro, pra ne nuk kemi qenë brenda një logjike të kuantifikimit material, por të subjektivitetit, integritetit, dinjitetit dhe për mua reciprociteti nuk është vetëm tregtar, është edhe shtetëror.

Ta zëmë, maunet tona kur kanë kaluar në Serbi kanë pasur gjobitje për shkak se nuk janë pranuar lejet e vozitjes së shoferëve tanë, ose një vajzë ose djalë që ka mbaruar universitetin në Prishtinë, nuk mund të punësohet dot në Bujanoc, Preshevë apo Medvegjë e të tjera, certifikata e mallit tonë për shkak se shkruan Republika e Kosovës nuk pranohet në Serbi.

Nëse duam marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse duam normalizim, atëherë do të duhej të sillemi në mënyrë normale e kjo do të thotë ta respektojmë edhe tjetrin e jo vetëm ta dashurojmë vetveten. Prandaj mendoj që Serbia do të duhej që ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, sepse për një normalizim që e kërkojmë të gjithë, edhe ne edhe faktori ndërkombëtar, besoj që shumë më tepër duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova”, tha Kurti.

Ndër të tjera në intervistën e tij për VOA, Kurti ka deklaruar se i dërguari i Trump për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell i dha energji procesit të dialogut. Sipas kryeministrit të ri të Kosovës, marrëveshja mes dy vendeve mund të arrihet edhe brenda këtij viti, duke theksuar se nuk do të lejojë më tashmë të ketë një tjetër dështim.

“Është e mundshme, mirëpo unë nuk do të mund të parashikoja një gjë të tillë tani. Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë”, shprehet ndër të tjera Kurti.

Artikulli paraprak“Fasada po vdes njerëz në QSUT”, Basha ngre alarmin: Kapaciteti i kirurgjisë është përgjysmuar…
Artikulli tjetërNoka: Rama nuk i lufton kriminelët sepse ka ndarë pushtetin me ta