Kundër taksës në Rrugën e Kombit, bizneset në Kukës e Tropojë në protestë

Bizneset në Kukës kanë protestuar duke mbyllur dyqanet për 1 orë dje kundër vënies së taksës në Rrugën e Kombit. “I mbyllëm bizneset 1 orë që të mos na mbyllin rrugën 30 vjet. Taksa e Rrugës së Kombit është padrejtë dhe ne bëjmë thirrje për anulimin e saj”, tha kryetari i shoqatës së biznesmenëve, Sokol Kolgjini. Si në Kukës, edhe bizneset në Tropojë dhe Has kanë mbyllur qepenat dje. Edhe Shoqata shqiptare e Transportuesve shprehet kundër vendosjes së pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit. Presidenti i saj, Ilir Mataj, thotë se bëhet fjalë për një taksë shtesë për çdo mjet transporti, në një kohë kur prej vitesh ata paguajnë taksën e mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo do të rëndojë jo vetëm në bilancet e shoqërive të transportit, por dhe në xhepat e qytetarëve. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare. Sipas Monitor, nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Artikulli paraprakMirëmbajtja e rrugëve me tendera të dyshimtë, Shqipëria me koston më të lartë në Europë
Artikulli tjetërKonkurrenca hap hetimin e thelluar për furnizimin me karburant të avionëve