Mirëmbajtja e rrugëve me tendera të dyshimtë, Shqipëria me koston më të lartë në Europë

Teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për përzgjedhjen e katër operatorëve që do të mirëmbajnë rrugët në të gjithë vendin përkundrejt vlerës 128 milionë euro për një periudhë 5-vjeçare, në të njëjtën kohë po zhvillon tendera të veçantë për mirëmbajtjen e disa akseve. Dje në Agjencinë e Prokurimit Publik u shpall fituese kompania “Curri shpk” për projektin “Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë aksi rrugor Qafë Bualli–Krastë, 16.7 km për afat 24 muaj me vlerë mbi 19 milionë lekë. Pesë ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte shpallur hapjen e ofertave për shpalljen e katër kontratave të mëdha për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin për një periudhë pesëvjeçare. Rezultatet ende nuk janë publikuar.
Kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet ardhshme llogaritet 128 milionë euro nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore. Mirëmbajtja e rrugëve është ndarë në katër kontrata për katër rajone. Kontrata A: Në veri të Shqipërisë ku përfshihen rrugët në Shkodër dhe Kukës.  Kontrata B: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Dibrës dhe Tiranës. Kontrata C: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Fierit, Elbasanit dhe Korçës. Kontrata D: Përfshin mirëmbajtjen në rrugët e Jugut, konkretisht në rajonin Vlorës dhe Gjirokastrës.
Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe qeveria. Burime të “Monitor” nga sektori rrugor pohojnë se, rasti i mirëmbajtjes me performancë për aksin rrugor Qafë Bualli–Krastë, nuk është mbivendosja e vetme. ARRSH ka shumë kontrata dyvjeçare për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin, teksa ka shpallur tenderin e ri të mirëmbajtjes për të gjitha rrugët në pesë vitet ardhshme. Burimet e “Monitor”, pohojnë se si pasojë e këtyre shpërdorimeve, kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri është nga më të larta në Europë, gati e njëjtë me Suedinë (1000 euro për kilometër në muaj), ndërsa situata në terren e rrugëve dhe akseve nacionale nuk i reflekton këto investime.

Artikulli paraprakKosova me ligj të ri për trafikun rrugor
Artikulli tjetërKundër taksës në Rrugën e Kombit, bizneset në Kukës e Tropojë në protestë