Kujdes! Ky mesazh që qarkullon në WhatsApp mund të vjedhë të gjitha të dhënat tuaja

Një mesazh nga një mik iu mbërrin në WhatsApp. Ai ju dërgon diçka dhe kërkon që t’ia ridërgoni. Kështu fillon vjedhja e identitetit në aplikacionin e mesazheve. Mashtrimi ka funksionuar prej vitesh, herë pas here rishfaqen ankesat në mediat sociale. Këtë herë është Cesare Faldini, kirurg ortoped i cili shkroi në Facebook: “Ai që shkruan në emrin tim nuk jam unë! Ju lutem shpërndajeni këtë lloj mashtrimi që sapo ka nisur dhe po përhapet si flakë”.

Në fakt, një vjedhje identiteti është e mjaftueshme për të shkaktuar një efekt domino. Hakerët përdorin profilin e llogarisë së vjedhur për të dërguar kodet tek kontaktet e tij, të cilët nga ana e tyre do t’i hapin ato, duke nxitur fenomenin në mënyrë eksponenciale, shkruan fanpage.it.

Hakerët, përmes vjedhjes së identitetit, fitojnë akses në të gjitha dokumentet, fotot, videot dhe bisedat në llogari. Për t’u siguruar që përdoruesit të bien në grackë, ata ose përdorin një profil tashmë të vjedhur, ose klonojnë një kontakt dhe shkruajnë: “Përshëndetje, ju dërgova një kod gabimisht, a mund ta ktheni përsëri tek unë?” Pasi të dërgohet, ju humbni kontrollin e llogarisë. Në këtë rast, këshilla është të njoftoni menjëherë kontaktet tuaja dhe të bëni një denoncim në polici. Për të rikuperuar profilin tuaj, mund të identifikoheni në WhatsApp me numrin tuaj të telefonit dhe të verifikoni llogarinë tuaj duke futur kodin 6-shifror të dërguar me SMS. Pasi të futet kodi, kushdo që përdor llogarinë do të dalë automatikisht. Nëse nuk e merrni kodin, atëherë është e mundur që hakerët të kenë aktivizuar tashmë verifikimin me dy hapa, duke ju penguar të rifitoni kontrollin.

Si të dalloni një mashtrim në WhatsApp

Ka disa strategji për të njohur mashtrimet e mundshme në WhatsApp. Për shembull, kushtojini vëmendje gabimeve drejtshkrimore dhe gramatikore, të cilat janë gjithmonë një shenjë paralajmëruese për mashtrime në internet. Në rastin e mesazheve të dyshimta, këshillohet të kontaktoni dërguesin me telefon për t’u siguruar që llogaria e tyre nuk është hakuar. Në përgjithësi, jini gjithmonë të kujdesshëm ndaj mesazheve alarmante që ju kërkojnë të veproni shpejt për të zgjidhur një emergjencë. Në fakt, taktikat e presionit të lartë përdoren nga hakerat për të nxitur emocionet duke ulur mbrojtjen racionale të përdoruesit.

Këshilla për të shmangur vjedhjen e identitetit

Rregulli i artë është të mos zbuloni informacione personale ose të klikoni në lidhje të jashtme. Një mënyrë e mirë për të mbrojtur veten është të aktivizoni vërtetimin me dy faktorë për të hyrë në llogarinë WhatsApp, kjo masë sigurie parandalon hakerat të hyjnë në llogarinë WhatsApp dhe të vjedhin identitetin e përdoruesit nëse përpiqen ta hapin atë duke përdorur një pajisje tjetër. Së fundi, sa herë që besoni se jeni kontaktuar nga një mashtrues, është një ide e mirë të raportoni dhe bllokoni bisedat e dyshimta.

Artikulli paraprakAkuzat ndaj deputetit gjerman Krichbaum, Gentian Gaba: Pas Ramës kur i kujtoj korrupsionin, tani e sulmon Berisha se përkrahu SPAK!
Artikulli tjetërSPAK sekuestron pronat në plazhin e Velipojës të ‘investitorit strategjik’- BIRN: Pëllumb Gjoka planifikonte investimin e 52 mln eurove në zonën e virgjër