Kryebashkiaku i Belshit prish lokalin 300 mijë euro me leje për të bërë pallatin e tij

Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani ka prishur një lokal 300 mijë euro me dokumenta të rregullta për të ndërtuar një pallat të tijin. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, kreu i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani dhe financuesi i PS, Sopot Ferhati, i prishën lokalin personit të akuzuar se e kërcënoi kryebashkiakun për të ndërtuar pallatet e tyre.
Reagimi i Berishës vjen pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar nga Belshi. “E vërteta e kërcënimit me 300 mijë euro të narko-kryetarit të Belshit! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor, po ju shkruaj nga Belshi. Kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani, paska nxjerrë lajmin se e kanë kërcënuar me armë. Dua të them se personit të akuzuar, ky bashkë me biznesmenët e vet në Belsh i kanë prishur lokalin me vlerë 300 mijë euro. I kishte letrat e rregullta, por Arif Tafani dhe financuesi i PS, Sopot Ferhati, ia prishën për të bërë pallatin e tyre në mes të Belshit.
Nuk di nëse është kërcënuar me të vërtetë apo jo, sepse edhe mundet, por ngjarja kështu është. Këta kanë shkatërruar gjithë Belshin për të ndërtuar pallatet e tyre”, shkruan qytetari nga Belshi.
Edhe policia ka konfirmuar se zanafilla e konfliktit mes personit të shoqëruar dhe kryebashkiakut ishte lokali i prishur nga Bashkia. “Shtetasit R.T., në vitin 2016 në Belsh qendër i është prishur lokali i familjes së tij nga ana e Bashkisë, pasi ishte përfshirë në objektet që do prisheshin në zbatim të planit urbanistik të qytetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Nuk ke më jetë po nuk më dhe 300 mijë euro brenda një muaji. Më ke prishur lokalin buzë liqenit dhe kjo do të paguhet me kokën tënde. Që të shpëtosh kokën do më paguash eurot dhe do më japësh një shesh ndërtimi te bashkia e re”, është shprehur autori që e kërcënoi me armë kryebashkiakun.
Ngjarja ndodhi dje në mesditë pak pas orës 12:00 në vendin e quajtur Pekisht te Puset e Naftës. Kryebashkiaku Arif Tafani ka bërë denoncim në polici. Kanosësi është vëllai i ish-kandidatit të pavarur për kryetar bashkie në Belsh, Besjon Tafani.

Artikulli paraprakSi fshehu policia vdekjen e punëtores së kanabisit në kullën e njeriut të Ruçit
Artikulli tjetërProkuroria sekuestron pasurinë e Habilajve në Vlorë