Krizat që po testojnë Europën

Mënyra se si reagojnë udhëheqësit ndaj një krize, e shkaktuar nga njeriu apo katastrofa natyrore, mund të jetë vendimtare për t’i dhënë formë mandatit të tyre ose edhe për ta shkurtuar atë, nëse zgjidhja e tyre është e gabuar. A arritën ata për shembull të krijojnë një lidhje emocionale me publikun, duke shprehur dhembjen e një vendi, duke demonstruar njëkohësisht vendosmërinë për të korrigjuar atë që ndodhi apo për të riparuar dëmin?
Kjo pyetje po shtrohet tani për kryeministren Theresa May, ndërsa ajo përballet me zemërimin e publikut lidhur me zjarrin shkatërrues javën e kaluar në Londër që përfshiu një kompleks apartamentesh, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 59 vetëve, ndërsa dhjetëra vetëve nuk u dihet fati dhe qindra të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
Duke filluar nga sulme terroriste tek katastrofa e zjarrit shkaktuar nga gabimi njerëzor dhe përsëri një sulm terrorist në orët e para të së hënës, kritikët thonë se kryeministrja May është shfaqur shpesh e distancuar dhe e ftohtë.
Udhëheqësit e Evropës janë vënë në provë dhe analistët thonë se mënyra se si reagojnë ndaj katastrofave, po i ndihmon ata të zbusin zemërimin populist apo të dalin si zëdhënësit e këtij zemërimi ose nëse jo, të konsumohen prej tij.
Zonja May nuk është e vetmja udhëheqëse që po has vështirësi për të kapërcyer një krizë. Ish-presidenti francez, Francois Hollande, u largua nga detyra me një mbështetje historikisht të ulët dhe me përqindjen më të ulët të miratimit të punës së tij, nga çdo udhëheqës francez që kur filluan sondazhet e këtij lloji, mbi tri dekada të shkuara.
Shpesh, një gjest i ndjeshëm dhe mirëkuptimi është i mjaftueshëm që një udhëheqës të dalë nga kriza, pa pasoja. Matteo Renzi i Italisë u vlerësua për reagimin e tij ndaj tërmeteve shkatërruese në Italinë Qendrore në vitin 2016, që shkaktuan vdekjen e afro 300 vetëve.
Ndërsa parti politike apo lëvizje populiste shpesh ekstremiste po kërcënojnë partitë tradicionale të Evropës, udhëheqësit nuk kanë shumë hapësirë për manovrim. Ciklet e lajmeve kanë tani një shpejtësi marramendëse dhe orët e para pas një sulmi ose katastrofe kanë një rëndësi vendimtare, komunikimi me publikun, deklaratat për ta qetësuar atë, shprehja e dhembjes, janë po aq përcaktuese sa edhe menaxhimi i situatës prapa skenës.

Artikulli paraprakMacron merr mandatin për reforma të thella
Artikulli tjetërTensione të reja SHBA-Rusi në Siri