Kriza e dyqaneve të vogla të veshjeve

Shpresa H., e cila prej gjashtë vitesh ushtron aktivitetin e tregtimit me pakicë të veshjeve në zonën e ish-Bllokut, tregon se puna po bie sa vjen dhe më tepër. “Trishtohem sa herë mbyllet një dyqan në rrugën ku punoj dhe unë, pasi falimentimi i njërit prej nesh ka efekt zinxhir”, tha ajo. Dikur njerëzit blinin pa menduar shumë, sot hezitojnë edhe për të blerë diçka të vogël. Besoj se e gjithë kjo ka ardhur nga kriza dhe nga konkurrenca e madhe që na bëjnë qendrat tregtare, shtuar edhe krizën politike që i step njerëzit në shpenzime. Nëse vetëm dy klientë të mitë shkojnë në qendër tregtare, unë e ndiej efektin në të ardhurat e dyqanit. Kur e hapa në fillim dyqanin, e mendova si një zgjidhje të mirë për t’u vetëpunësuar, kërkoja që në fund të muajit të nxirrja një rrogë për veten. Tani, prej muajsh, mezi mbyllim shpenzimet e dyqanit. Rënien e aktivitetit tregtar na e pohoi dhe Ana B., shitëse prej 3 vitesh në një prej dyqaneve zinxhir, që tregton në QTU, në rrugën “Myslym Shyri” dhe në ish-Bllok. Ajo tha se “dikur xhiroja mujore e dyqanit luhatej nga 1,5–2 milionë lekë në muaj, ndërsa sot me vështirësi bëjmë 600-700 mijë lekë. Në përgjithësi, punojmë me klientelë, nuk para vijnë njerëz të rinj”. Për sa i përket dyqanit në qendër tregtare, xhiro është diçka më e lartë, por edhe në atë dyqan ka pasur rënie të aktivitetit. Në përgjithësi, qendrat tregtare, si qendra shumëfunksionale tërheqin më shumë njerëz, pasi kanë të përqendruar në një vend shumëllojshmëri aktivitetesh, shton ajo.

Konkurrenca, jo vetëm nga qendrat

Modeli i ekonomisë shqiptare është fokusuar te tregtia, shitblerja dhe jo te prodhimi, prandaj ka një mbiofertë në treg, thotë një tjetër tregtar, që ushtron aktivitetin prej 20 vitesh. Ne jemi shoqëri konsumi. Të shumtë janë ata që provojnë të hapin një biznes me qëllim vetëpunësimin, mirëpo fuqia blerëse aq është. Sektori i shitjeve me pakicë kohët e fundit është përballur me vështirësi dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Në Amerikë, zinxhirët e dyqaneve të tregtimit me pakicë po shkojnë drejt falimentimit me një ritëm rekord, ndërkohë që po përballen me zgjerimin e shpejtë të tregtisë online. Edhe në Shqipëri, disa prej aktiviteteve kanë filluar të riorganizohen. Një pjesë e dyqaneve të kontaktuara nga “Monitor” tregojnë se një pjesë të punës e kryejnë online. Tashmë rrjetet sociale iu japin mundësi bizneseve që të kenë faqet e tyre të sponsorizuara dhe në këtë mënyrë, të arrijnë më shpejt te klienti. Po shkojmë drejt zvogëlimit të sipërfaqeve fizike të dyqaneve dhe zgjerimit të hapësirave në rrjet, megjithatë edhe këtu konkurrenca është tepër e lartë. Sipas sondazhit të “Monitor” të kryer në fillim të vitit, rreth 70% të bizneseve që mbylleshin ishin për shkak të krizës, rënies së konsumit dhe rimodelimit të ekonomisë. Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre. Sipas Anketës së Ndërmarrjeve të INSTAT për vitin 2015, në Shqipëri ka 93 mijë ndërmarrje të vogla aktive apo gati 90% e totalit. Ato zënë një peshë të rëndësishme në punësim, me rreth 33% të totalit, ndërsa në shitjet neto, kontributi i tyre është shumë më i ulët në 14.3%. Për shkak të peshës së lartë në punësim, mbyllja e subjekteve mikro, që po vjen më së shumti për shkaqe strukturore, pritet të kthehet në një problem të madh në të ardhmen, për shkak të mungesës së investimeve të mëdha, që do të amortizonin pasojat në papunësi të kësaj kategorie të mikrondërmarrjeve.

Të rinjtë që tentojnë

Denisa Dimo, e sapodiplomuar për ekonomi, prej dy muajsh ka hapur një dyqan me shpresën që në fund të muajit të fitojë më shumë se sa një rrogë mujore. “Deri tani, si një biznes i ri, arrij të mbyll shpenzimet e dyqanit. Shpresoj që të më ecë”.
Më parë, në ambientin ku Denisa tregton, ushtronte aktivitetin një tjetër dyqan veshjesh, pjesë e një zinxhiri prej tre dyqanesh (qendër tregtare, “Myslym Shyri” dhe ish-Bllok), i cili falimentoi. Vita Gjinaj, tregtare, thotë se mori në konsideratë të shpërngulej në një nga qendrat tregtare, por ishte stepur për shkak të qirasë së lartë. Me atë çmim qiraje dhe me marzhin e fitimit që kam, në fund të muajit do të dilja me humbje. Të marrësh një dyqan me qira në një rrugë të kryeqytetit sot kushton shumë më mirë se 10 vjet më parë. Ndryshe është për qendrat tregtare, ku pagesat mujore janë rritur vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Colliers International, në vitin 2006, qiratë në rrugët kryesore të Tiranës arrinin deri në nivelin më të lartë prej 72 euro për metër katrorë. Sot ato arrijnë maksimumi deri në 40 euro për metër katrorë, duke shënuar një rënie prej 44%.
E kundërta ka ndodhur me qendrat tregtare. Ndërsa në vitin 2010, qiraja maksimale në qendra arrinte në 30 euro për metër katrorë, aktualisht ajo ka arritur në 50 euro për metër katrorë, me një rritje prej 67%. Teksa qendrat tregtare po i tërheqin klientët edhe përmes formave të ndryshme të argëtimit, dyqanet në rrugët kryesore po ndiejnë konkurrencën, çka ka ndikuar në uljen e qirave. Sipas të dhënave nga Colliers, qiraja mesatare e qendrave tregtare në Tiranë, aktualisht luhatet në rreth €20/m²/muaj. Ndërsa qiratë në vendet e preferuara kanë qenë stabël në rreth €50/m²/muaj dhe tregu ka qenë i orientuar nga ofertuesit, veçanërisht për hapësirat parësore të tregtimit me pakicë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qendrat tregtare që kanë marka të mira dhe që mund t’i ofrojnë tregtuesit me pakicë një numër të lartë konsumatorësh. Qiratë e rrugëve kryesore kanë shënuar një rritje të diferencës mes nivelit më të lartë dhe atij më të ulët, ku më e ulëta është regjistruar në 7 euro/m²/muaj dhe më e larta në 40. Kjo shpjegohet me vjetërsinë e ndërtesës dhe kushtet në rrugët kryesore, referon Colliers. Tregu i rrugëve kryesore është ende shumë i pamaturuar dhe i paqëndrueshëm, çka do të thotë që mund të gjesh një dyqan të nivelit të ulët dhe të nivelit të lartë ngjitur me njëri-tjetrin në rrugët kryesore të Tiranës.

Ku punësohen shqiptarët

Tregtia me pakicë është biznesi me të cilin mbajnë familjet pjesa më e madhe e shqiptarëve. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2015, ky sektor ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 63 mijë, një rritje e ndjeshme në raport me vitin e mëparshëm, por që është kryesisht efekt i formalizimit. Nga këta, rreth 43 mijë apo 70% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët.
Por, vitet e fundit, ky sektor nuk po arrin të gjenerojë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse. Presioni për t’u formalizuar, nga ana tjetër, po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Një sondazh i një numri më parë i realizuar nga “Monitor” gjeti se pjesa më e madhe e këtyre subjekteve janë në mbijetesë dhe në mungesë totale likuiditeti, saqë janë mbyllur edhe për shkak të marrjes së një gjobe minimale prej 30 apo 50 mijë lekësh.
Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit, por dhe ai është i tejngopur. Një kërkim i mëparshëm i “Monitor” gjeti se shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.
Kategoria “Shërbime të tjera” ka pasur ecurinë më të mirë më 2015-n, për hapjen e vendeve të reja të punës, i nxitur nga zgjerimi i aktiviteteve të call center.
Ndërtimi është sektori i katërt më i madh punësues në vend. Pas një maturimi më 2012-2015, duket se ai i është kthyer rigjallërimit, i nxitur nga projekti TAP dhe orientimi drejt ndërtimeve në turizëm.

Ledina Loga

Artikulli paraprakTre kandidatë për kryeministër, tri opsione për qeverisje
Artikulli tjetërPS mashtrime si në 2013, 220 mijë vende pune dhe shëndetësi falas