Tre kandidatë për kryeministër, tri opsione për qeverisje

Partive politike u ka mjaftuar shpallja e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që brenda natës, të zotohen se do t’i zgjidhin, të paktën deklarativisht, problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë. Për dy vjet, subjektet politike nuk arritën të gjejnë formulën e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke i lënë qytetarët e Kosovës të izoluar pa liberalizim të vizave, ndërkaq një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, u prezantuan shumë opsione për tejkalimin e kësaj problematike. Po ashtu, edhe në këto zgjedhje partitë politike shkelën ato që i quajtën më parë “vija të kuqe”, duke i bërë ato që dikur u cilësuan si koalicione të panatyrshme, plotësisht të natyrshme. Aktualisht, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partinë Nisma, pastaj koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe subjektin e ri Alternativa, si dhe subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, po zgjojnë interesimin e opinionit dhe medieve. Të tri blloqet politike kanë prezantuar edhe kandidatët e tyre për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. I cilësuar si krahu i luftës, edhe pse i unifikuar në një koalicion pas 17 viteve, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma ka nxjerrë si kandidat të përbashkët për postin e kryeministrit të ardhshëm, liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit, thotë se qeveria nën drejtimin e tij do të merrte një pozicion tjetër karshi dialogut me Serbinë. Sipas Haradinajt, ka ardhur koha që Kosova të jetë shtet, pa fusnotë. “Nuk është vetëm nacionaliste ose kombëtare, por po dëshirojmë ta përmbyllim dhe të gjithë ta kuptojnë se Kosova është Kosovë më vete. Pra, që Kosova vendos për Trepçën, Kosova vendos për Brezovicën, për ushtrinë, për qymyrin, për çka do që është e Kosovës ne vendosim. Nëse vazhdojmë ta ruajmë ose ta lëmë veten edhe me fusnotë edhe të pavarur, s’mundemi më”. “Ne duhet të veprojmë në këtë drejtim. Janë disa absurde që dëshirojmë t’i zgjidhim edhe në raport me partnerët tanë, në këtë rast është BE-ja, pra duhet të ketë një qasje më strikte në marrëdhëniet mes palëve dhe të mos favorizohet shumë Beogradi”, thotë Haradinaj. Ndërkaq, në raport me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Ramush Haradinaj beson se marrëveshja mund të përmbyllet pa u detyruar që Kosova të humbë territor, duke aluduar në marrëveshjen aktuale, e cila ka mbetur pezull dhe e pa ratifikuar nga Kuvendi. “Porosia e territorit është se nuk mund të jap tokë. E kuptoj që janë ndarë sfida para nesh që kërkojnë zgjidhje, por besoj që do ta gjejmë zgjidhjen për demarkacionin pa dhënë tokë, duke mbetur kufiri në Çakorr edhe në Kullë”, deklaron Haradinaj. Edhe koalicioni i LDK-së, së Isa Mustafës, me AKR-në e Behxhet Pacollit dhe Alternativën që drejtohet nga dy figura të njohura politike, Ilir Deda e Mimoza Kusari-Lila, ka dalë me kandidatin e përbashkët për kryeministër. Ai është Abdullah Hoti nga LDK-ja, aktualisht ministër i Financave në qeverinë në largim të Kosovës. Hoti pretendon se pas zgjedhjeve do të udhëheqë qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë.

Artikulli paraprakLista fituese e Republikës së Re
Artikulli tjetërKriza e dyqaneve të vogla të veshjeve