PS mashtrime si në 2013, 220 mijë vende pune dhe shëndetësi falas

Partia Socialiste ka tentuar dje t’i hedhë dhe një herë hi syve shqiptarëve me një prezantim të programit politik, i cili s’është gjë tjetër vetëm se një kopjim pikë për pikë i programit të dështuar dhe mashtrues të vitit 2013. E kanë quajtur “manifesti i PS” dhe përngjan shumë me manifestin e Partisë Komuniste, jo në ideologji, por në mashtrim. Partia Socialiste dhe Rilindja, merr dhe një herë guximin t’i gënjejë shqiptarët duke bërë ca krahasime të çudtishme, tek të cilat dështimet e saj në katër vjet tenton t’i quajë suksese. Këtë herë ska premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të punës, por diçka më pak 22 mijë të tilla, duke pretenduar se në këto tre vjet ka hapur 180 mijë të tilla. E habitshme është, se mashtrime të tilla vijnë në një moment, kur jo vetëm opozita, por edhe aleati i saj në qeverisje e kanë akuzuar për humbjen e vendeve të punës për mijëra shqiptarë. Ishte deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi një ditë më parë, e cila nga një studio televizise do shprehej se, “ne në qeverisje nuk i hapëm 300 mijë vende pune, por i mbyllëm 300 mijë vende pune”.

Niveli i varfërisë

Por le t’i marrim me radhë dhe të shohim se deri ku shkojnë mashtrimet me të cilat PS po tenton të hyjë sërish në këtë fushatë zgjedhjesh. Sipas manifestit socialist, sot të ardhurat e disponueshme për banor janë 580 mijë lekë në vit. Pak a shumë rreth 3800 euro për person, ose e thënë më ndryshe një familjë me katër anëtarë konsumon rreth 15 200 euro në vit ose diçka më shumë se 2 milionë lekë të reja. Nuk e dimë se ku i gjen këto statistika Edi Rama, në një kohë që dihet se që nga viti 2013 varfëria është rritur, siç është rritur dhe numri i atyre që jetojnë nën kufirin e varfërisë, dhe ku janë këto rroga nga 700 euro për çdo prind siç pretendon Rama dhe Rilindja e tij. Ndoshta Rama në këto përllogaritje përpjeston në mënyrë të barabartë paratë e oligarkëve të tij, por kjo kurrsesi nuk mund të jetë tregues i rritjes së nivelit të jetesës për shqiptarët. Më tej në të njëjtin dokument shprehet se ka nxjerrë nga varfëria 60 mijë shqiptarë dhe ka shpëtuar nga mjerimi 30 mijë të tjerë, ndërkohë që raportet ndërkombëtare dhe ato vendase flasin për thellimin e kësaj plage sociale në shifra alarmante. Në vitin 2016,  raportet përmendnin se 30 për qind e shqiptarëve jetonin nën kufirin jetik të varfërisë me 1.9 dollarë në ditë, ndërsa rreth 400 mijë të tjerë jetonin me rreth 400 lekë në ditë.

Shëndetësi falas

Në vitin 2013 ndër premtimet më të bujshme të Edi Ramës, ishte ai për shërbimin shëndetësor falas. Në fakt, duhet të jesh i paturp, kur me skandalet që kanë ndodhur në shëndetësi të kesh guximin të ripërsërisësh dhe një herë të njëjtën gjë, tek prezantimi i punës së tij, në këto katër vjet që ikën Rama quan sukses në këtë sektor koncesionet në shëndetësi, të dhëna për klientët e tij nga qehajai Beqja me bekimin e vetë Kryeministrit. Por gjithsesi kompleksi i asaj çka ka premtuar dhe nuk ka mbajtur duket dhe teksa shfaq vetëm me një fjali, “qëllimin” për një shëndetësi falas deri në vitin 2021. “Mbulimi shëndetësor universal mbetet qëllimi dhe angazhimi ynë. Brenda vitit 2021, shqiptarët do të kenë shërbimet shëndetësore falas”. Ky është paragrafi që sqaron, objektivin e Ramës dhe të tijve për shëndetësinë falas. Më poshtë nuk ka asnjë sqarim se si do të arrihet drejt këtij objektivi. Se sa sqarues është arritja e këtij objektivi, flet jo vetëm paragrafi më lart, por dhe puna e katër vjetëve e Ramës, ku sektori i shëndetësisë ka qenë dhe më i dështuari.

Rama e pranon se nuk ka shtruar asnjë kilometër rrugë të re

Kur flitet për rrugët, Rama e pranon vetë se nuk ka shtruar asnjë metër të tillë, por vetëm ka rikonstruktuar. Madje nuk guxon as ta përmendë me kilometra, por preferon të përdorë metrat linearë. Për shembull, Rama pranon se ka rikonstruktuar 300 mijë metra lienarë rrugë, e shprehur në kilometra që është njësia matëse për rrugët i bie që të ketë rikonstruktuar vetëm 300 kilometra. Në fakt po ta krahasojmë me vitin 2013, që përkon me mbylljen e mandatit të PD-së, kjo shifër ishte rreth 5 mijë kiloemtra rrugë të reja, që është një shifër ku e ku më larg se kjo që na servir Rama. Një pikë tjetër me të cilën Rama krenohet është dhe ajo që preferon ta quajë “Rilindja Urbane”, ku pretendon se ka shtruar 200 mijë metra linearë trotuare. Në fakt, Rama harron se të shtojë se për këto trotuare janë harxhuar jo pak, por plot 230 milionë euro, as sa do mjaftonte për të përfunduar një autostradë të ngjashme me atë të Tiranë-Elbasan, duke futur edhe ndërtimin e pesë kilometrave tunel brenda. Ose në rast se ato para do të përdoreshin për të ndërtuar banesa për të pastrehët, do të thotë që brenda një mandati, Rilindja do kish zgjidhur përfundimisht problemin e strehimit në këtë vend.

PS krenohet me falimentimet në masë të biznesit të vogël

Një tjetër mashtrim është ai i shtimit të bizneseve të vogla. PS pretendon se ka shtuar numrin e bizneseve të vogla me 50 mijë më shumë, ndërsa realiteti flet ndryshe. Vetëm në 6 muajt e fundit të vitit 2016, bënë kërkesë për falimentim më shumë se 3 mijë biznese në kryeqytet, ndërsa në katër vjet si pasojë e rritjes së barrës mbi to, mësohet të kenë falimentuar jo pak, por më shumë se 35 mijë biznese. Nuk dihet ende se ku i gjen Rama shifrat që i quan premtime të mbajtura, por fakti është se dhe në momentet që flasim në zyrat e tatimeve janë me qindra kërkesat e bizneseve të vogla, të cilat bëjnë kërkesë për mbyllje aktiviteti. Këtu nuk po flasim për luftën e paprecedentë që Rama dhe të ngjashëm si ai kanë ndërrmarë ndaj atyre njerëzve shitës ambulantë që mezi mbajnë frymën gjallë, duke shitur cepave të rrugëve me frikën se do u sekuestrohet  malli. Rama u hoqi taksën për xhiron deri në 5 milionë lekë biznesit të vogël, që në fakt ka qenë aplikuar dhe më parë, por u shtoi taksat e pabërballueshmje të Bashkisë, që janë dhjetëfishi i asaj që duhej të paguanin. Po t’i shtosh dhe rritjen e energjisë, atëherë biznesi i vogël del me humbje në rastin më të keq, ose të punojë për taksidarët e Ramës në rastin më të mirë.

Ulëm energjinë, ishte 7 lekë kilovati e bëmë 9.5

Por “Rilindja” flet dhe për ulje të çmimit të energjisë kur shprehet se e ka ulur. Në fakt, kjo është nga demagogjitë jo vetëm më të pabesueshme, por edhe të neveritshme, po të kemi parasysh tragjeditë që solli ajo. Në fakt, Rama hoqi fashën mbrojtëse të energjisë prej 7.5 lekë deri në 300 kilovat orë dhe unifikoi çmimin me 9.5 lekë për kilovat orë. Të gjithë jemi dëshmitarë për faturat e fryra që u vijnë qytetarëve dhe të palëvizura dhe në muajt, kur konsumi bie. Faturat e muajit prill për shembull, të këtij viti nuk kanë ndryshuar shumë me faturat e muajit shkurt. Një familje që harxhonte 12 mijë lekë në shkurt fatura u ka ardhur rreth 10 mijë lekë të reja për muajin pranveror të prillit. Por meqë flasim për premtime të mbajtura, siç preferon t’i quajë manifesti, Rama kish premtuar dhe ulje të TVSH të energjisë në masën 6 për qind për familjet në nevojë. Në ditët e fundit të mandatit të tij s’kemi dëgjuar ndonjë familje që të ketë përfituar nga ky premtim i Ramës, pasi faturat do ishin shumë herë më të lehtësuara se sa pretendon manifesti dhe “Rilindja” tek premtimet e mbajtura.

Anash
Premtimi i PS: Borxhin publik do
e çojmë në nivelin që na e la Berisha
Premtim tjetër është ai për uljen e borxhit publik nga 71 për qind që është aktualisht, në 60 për katër vitet e ardhshme. Në fakt dhe ky është një sharlatanizëm, dhe mashtrim i Ramës. Kur erdhi në shtatorin e vitit 2013 në krye të qeverisë, borxhi publik nuk ishte më shumë se 63 për qind. Në katër vitet e qeverisjes, nuk është bërë asnjë investim, dhe siç e pranon dhe vetë dhe në projektet e mëdha nuk ka investuar, si fjala vjen shtrime rrugësh ose gjëra të këtij lloji që kanë kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Por përveç kësaj, qeveria Rama e rriti borxhin dhe me 1 miliard dollarë të tjerë, nga ku 500 milionë kanë shkuar vetëm si koncesione për Vilma Nushin. Ulja e borxhit me 11% në fakt është në kufijtë e të pamundurës, pasi duket qartë se qeveria aktuale nuk ka për të ndryshuar modelin e filozofisë së saj. Në rast se do e kish mbajtur borxhin aq sa e gjeti, ndoshta mund të ishte sadopak i besueshëm, por me sa kemi parë Rama nuk e ka as aftësinë dhe as vullnetin për ta bërë.
Por në premtimet e tij, Rama ka harruar pensionistët. Në paragrafin që flet për këtë kategori, në asnjë rresht nuk flitet për rritje pensionesh në katër vitet e ardhshme, por vetëm për ndonjë shpërblim në fund të vitit (në katër vjetët e shkuara pensionet u rritën me 1.5 për qind dhe vetëm një herë u dha një shpërblim për fundvitin në 2016-ën). Për këtë kategorim Rama dhe PS  flasin në ajër, duke lënë qartësisht të kuptohet se s’kanë asnjë strategji për rritjen e tyre.  Në fakt nga  kjo kategori një pjesë  e mirë e tyre janë votues tradicional të majtë, me të cilët Rama u tall për katër vjet dhe me sa shihet ka ndërmend të tallet hapur dhe për katërvjeçarin e ardhshëm. Përpara 2013, pensionet rriteshin nga 8 deri në 12 për qind çdo vit. Në çdo tremujor, qeveria Berisha merrte vendim për t’i rritur deri në katër për qind, deri në fund të mandatit të tij, kur shumë pensione u dyfishuan për shkak të ndjekjes së kësaj praktike. Rama të vetmen rritje që bëri ishte ajo e vitit të shkuar, kur pensionet minimale u rritën me vetëm 200 lekë në muaj.

Artikulli paraprakKriza e dyqaneve të vogla të veshjeve
Artikulli tjetërUltimatumi për Donnarummën