Kriza, biznesi i madh ul konsumin e energjisë

Konsumi i energjisë elektrike u ul me 2.3% në vitin 2016 sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë. Shifrat mbi bilancin energjetik tregojnë se në vitin 2016 konsumi vendas i energjisë arriti në 7,094,576 MW/h, ndërsa më 2015 konsumi ishte 7,265,526. Por nga të dhënat krahasuese shihet se është ulur në mënyrë të ndjeshme konsumi në konsumatorët e tensionit të lartë. Kjo kategori janë kryesisht biznese, konsumi i të cilave ra me 17% në vitin 2017. Nga 610,2017 MW/h që konsumoi kjo kategori më 2015, vitin e kaluar ka konsumuar 502,895 MW/h.
Treguesit e tjerë të konsumit nuk kanë pësuar luhatje, pasi ndryshimet janë afër zeros. Shitjet për institucionet familjare dhe jofamiljare janë rritur me respektivisht 0,02 dhe 0,04%. Konsumi i energjisë shënoi ulje për të tretin vit radhazi. Arsyetimi më i hershëm i OSHEE-së për këtë çështje lidhet me tendencën për të mos shpërdoruar energjinë elektrike nga konsumatorët. Shtrëngimi i politikave dhe mjeteve për grumbullimin e faturave të energjisë i ka bërë më racionalë konsumatorët. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë së rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë (bizneset e mëdha).
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) parashikon që konsumi i energjisë do të ulet me 27% deri më 2018 në krahasim me 2016. Kjo ulje, sipas përllogaritjeve të OSSHE-së do të vijë për disa arsye që kanë të bëjnë me uljen e popullsisë, me ngrohjen e motit dhe me liberalizimin e tregut.
Metodologjia e përllogaritjes së kërkesës për energji merr për bazë historikun e të dhënave mbi energjinë totale të injektuar në rrjetin e OSHEE gjatë periudhës 2007-2015, informacionin mbi sasitë e shitura të energjisë gjatë periudhës 2007-2015, planin e veprimeve të ndërmarra për reduktimin e humbjeve teknike dhe joteknike. Në treguesit e konsumit, OSSHE ka marrë në konsideratë edhe ndryshimet klimatike. Nisur nga fakti që konsumatori familjar në Shqipëri zë konsumin më të madh, i cili ndikohet drejtpërdrejt nga kushtet klimatike në vend.

Artikulli paraprakINSTAT: Çmimet në Shqipëri u rritën në janar 2017 sa dyfishi i mesatares së BE-së
Artikulli tjetërRriten me 30% edhe çmimet e qirave në Tiranë