Krimi elektoral, reagon KQZ: Të nisin hetimet

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri në një konferencë për shtyp deklaron se nga dje nuk mund të kontestohet më asnjë tabelë përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Sipas tij, deri më tani janë tri forca politike që kanë kontestuar rezultatin.
“PDIU e ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, PD për Qarkun Berat dhe PS tabelën përmbledhëse të Qarkut Tiranë.
Tabelat për qarqet e tjera nuk mund të kontestohen më. Asnjë kërkesë nuk mund të depozitohet më për pavlefshmëri”, tha Zguri.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i KQZ-së, Klement Zguri ka kërkuar gjithashtu edhe përfundimin dhe zbardhjen e të gjitha krimeve zgjedhore, që u raportuan gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Ditën e hënë u mbushën 5 ditë nga shpallja e vendimit të fundit të KQZ-së për miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit. Subjektet zgjedhore deri dje kanë pasur të drejtën e ankimit po në KQZ kundër vendimeve për secilin qark.
Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit sipas qarqeve ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi.
Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë.
Tabelat përmbledhëse të rezultateve për qarqet e tjera, nga sot nuk mund të kontestohen më.
Asnjë subjekt elektoral nuk ka paraqitur kërkesë për deklarimin e pavlefshëm të rezultatit në ndonjë qendër votimi. Kërkesa të tilla, nga sot nuk mund të depozitohen më.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të procedojë me shqyrtimin e këtyre kërkesave ankimore, përpara se të përmbyllë këtë fazë të procedurave të veta administrative. Afati ligjor i përcaktuar për këtë qëllim është jo më i gjatë se 10 ditë nga data kur është regjistruar ankimi përkatës. Kjo procedurë do të përmbyllet brenda datës 20 korrik.
Përfitoj nga ky komunikim publik, për të tërhequr vëmendjen për një çështje tjetër tejet të rëndësishme. Shqyrtimi administrativ i ankimimeve nga KQZ-ja nuk ezauron gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Procesi, me gjasë, do të investojë dhe Kolegjin Zgjedhor, tek drejtësia e të cilit KQZ mbështetet plot besim.
Por procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera, të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm edhe të institucioneve të tjera. Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ.
Është momenti që këto organizma të bëjnë publike rezultatet e punës së tyre.
Në mënyrë të veçantë organet e ndjekjes penale kanë regjistruar çështje hetimore, për të cilat shqiptarët presin hetim të shpejtë, të pandikuar politikisht, profesional dhe të drejtë. Shqiptarët presin të bëhet publik sa më shpejt rezultati i procedimeve penale për të gjitha veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë në hetim. Qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit. Pa lajme serioze, të besueshme dhe të qëndrueshme nga organet e ndjekjes penale nuk mund të ringrihet besimi i publikut tek zgjedhjet.
Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre.
Veprimtaria efikase e tyre është vendimtare për parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve të shkeljes së ligjit në fushën e zgjedhjeve në të ardhmen, është faktor i pazëvendësueshëm për rritjen e cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri” u shpreh kreu i KQZ, Zguri.

Artikulli paraprakMbarova në “La Sapienza”, më refuzuan në Shqipëri
Artikulli tjetërFshesa e “administratës”, Ministria e Mjedisit 278 çështje gjyqësore nga ish-punonjësit