Krimet e Rënda, grup hetimor me Antimafian e Barit

Tonelatat e kanabisit, të cilat nisen nga brigjet shqiptare drejt Italisë kanë detyruar autoritetet e dy vendeve të ngrenë një tjetër grup të përbashkët hetimor. Përveç Task-Forcës me Antimafian e Leçes, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkëpunon me Antimafian e Barit.
Në fokus të punës së hetuesve të dy vendeve janë grupet që trafikojnë drogë nga bregdeti shqiptar me destinacion Barin. Prokurorët kanë mundur të identifikojnë një grup kriminal me qendër në Vlorë, i cili është mjaft aktiv në trafikun e kanabisit. Kjo bandë, sipas të dhënave të siguruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk përdor vetëm bregdetin e Vlorës, ka nisur ngarkesa edhe nga Divjaka dhe Kavaja.
Hetimi me Antimafian e Barit ka disa kohë që ka nisur dhe është duke u dokumentuar veprimtaria e grupit kriminal. Rreth një vit më parë për shkak të situatës së krijuar me trafikun e drogës Antimafia italiane kërkoi nga Prokuroria shqiptare që të ngrihen grupe hetimore të përbashkëta.
Rezultatet e para bashkëpunimi i dha me goditjen e rrjetit te Habilajve. Krahas provave të mbledhura nga Prokuroria e Katanias, Krimet e Rënda arritën të faktojnë se, Habilajt kanë kultivuar disa mijëra rrënjë kanabis në Treblovë të Vlorës, parcela të cilat u shkatërruan në një operacion të drejtuar nga Krimet e Rënda.
Bashkëpunimi me Antimafian italiane për çështjen e trafikut të drogës u kërkua dhe në vizitën që kreu i këtij institucioni pati me kryeprokurorin Adriatik Llalla në shkurt të këtij viti e po ashtu edhe në takimin e kryer këtë javë mes ministrave të Brendshëm të dy vendeve.

Artikulli paraprakNdahet nga jeta regjisori i njohur Mihal Luarasi
Artikulli tjetërAntimafia zbuloi të vërtetën, Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim