Kredia për kompanitë jashtë vendit arrin 430 mln euro

Frenimi i kërkesës së brendshme për kredi ndaj biznesit dhe moskthimi i lartë i kredive të dhëna, po i çon likuiditetet e bankave drejt kreditimit të kompanive të huaja jashtë territorit të vendit tonë.
Kjo tendencë shton rreziqet për të monitoruar cilësinë e këtyre huave. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se, këto investime paraqesin risk të lartë për monitorimin e cilësisë së portofolit për shkak të procedurave të ndryshme rregullatorë dhe ligjeve në Shqipëri dhe vendet ku ushtrojnë aktivitet kompanitë.
Teprica e kredisë për jorezidentët shënoi nivelin 59.9 miliardë lekë (rreth 430 mln euro) në fund të 6-mujorit të parë 2016.
Nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, për biznesin jorezident, teprica e kredisë u zgjerua ndjeshëm gjatë periudhës janar-qershor 2016, me rreth 9.7% ose 4.5 miliardë lekë. Edhe kundrejt një viti më parë, kredia për biznesin jorezident shënoi rritje me rreth 1% ose 0.6 miliardë lekë.
Pesha e kredisë dhënë subjekteve jorezidente në tepricën e kredisë është rritur në 10.0% në qershor të vitit 2016, nga 9.2% që zinte në dhjetor 2015, por është e pandryshuar nga një vit më parë.
Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë kredia për subjekte biznesi, e cila është rritur me 9.7% gjatë periudhës, duke zënë 85% të totalit të tepricës së kredisë për jorezidentët.
Kredia jorezidente për individët zë një peshë të ulët dhe shënon zgjerim në terma vjetorë dhe gjatë periudhës. Në përgjithësi, kredia për jorezidentët orientohet në afate më të gjata maturimi, me peshën kryesore në afatin e mesëm (52%). Gjatë vitit të fundit, vërehet zgjerim i peshës së kredisë afatmesme dhe ngushtim i asaj afatgjatë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se cilësia e kredisë për subjektet jorezidente konsiderohet relativisht e mirë, pasi raporti “kredi me probleme ndaj tepricës së kredisë” shënon 5.5% dhe ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë 2 viteve të fundit.

Artikulli paraprakPagesa e papunësisë në tre vite ulje
Artikulli tjetërBizneset rrisin çmimet nga taksat e shumëfishuara