Kosova përballet me probleme serioze ekonomike

Kosova sot, ballafaqohet me probleme serioze politike dhe ekonomike. Ekonomia është një sferë e gjerë që po i preokupon të gjithë vendin, për të cilat kjo Qeveri nuk ka zgjidhje të qëndrueshme. Kështu u tha në konferencën “Alternativat e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, e organizuar nën patronatin e AAK.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha shkurt në këtë konferencë se mos zhvillimi ekonomik në Kosovë po i preokupon të gjithë qytetarët e vendit. Ai tha se duhet të ketë strategji të mirëfilltë që të ketë rritje ekonomike më të lartë dhe zbutje të varfërisë dhe papunësisë.

Në hapje të konferencës, nënkryetari i AAK-së njëherësh edhe udhëheqës i Departamentit për Zhvillim Ekonomik në këtë parti, Gazmend Abrashi tha se Kosova në ditët e sotme ballafaqohet me sfida të mëdha si në politikë po ashtu edhe me probleme serioze ekonomike.Ai foli edhe për MSA-në, që në bazë të kësaj marrëveshje buxheti do të jetë i mangët dhe se sipas tij Qeveria nuk ka gjetur alternativë për boshllëkun buxhetor.

Analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi tha se Kosova është vendi me problemet më të mëdha socio-ekonomike në Evropë,ku sipas tij ka varfëri dhe nuk zgjidhje të këtij fenomeni deri më tani. Ai tha se duke iu referuar raporteve të Bankës Botërore, nuk paraqitet një zhvillim i shpejtë ekomomik në vendin tonë. Ndërsa kryetari komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se për të pasur një zhvillim të komunave, ato duhet të kenë më shumë kompetenca. Sipas tij, për të hapur një konkurs në komunë duhet të pyeten tri Ministri. Kryetari i Prishtinës tha se po hasin në pengesa nga Qeveria posaçërisht nga Ministria e Financave për blerjen e autobusëve të rinj.

Gazmend Abrashi i cili ishte edhe moderator i kësaj konference duke folur për Ligjin për Prishtinën, tha se ky ligj është mbajtur peng vetëm se Prishtina nuk është udhëhequr nga PDK as një herë, dhe këtë sipas tij po e vuajnë qytetarët.

Pjesë e këtij paneli ishte profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku i cili duke folur për rritjen dhe zhvillimin ekonomik tha se vendi ende ka një nivel tepër të ulët të eksportit. Sadiku foli edhe për procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës, që sipas tij nuk ka strategji për këtë proces të privatizimit. Kurse, për energjinë si resurs i domosdoshëm për aktivitetin ekonomik foli Pranvera Dobruna-Kryeziu, eksperte energjetike, e cila tha se Kosovës i nevojiten specialist për zgjidhjen e problemeve energjetike me të cilat përballet vendi. /KosovaPress

Artikulli paraprakRiver Plate avancon në Copa Libertadores
Artikulli tjetërPD paralajmëron klientelën e Ramës për stadiumin: Do ta anulojmë