PD paralajmëron klientelën e Ramës për stadiumin: Do ta anulojmë

Partia Demokratike paralajmëroi dje anulimin e projektit të Ramës për ndërtimin e stadiumit të ri “Qemal Stafa”.
Edi Rama zbuloi për publikun një prej planeve me korruptive e klienteliste të këtyre 3 viteve, siç është qendra e madhe e biznesit dhe e tregtisë aty ku gjendet sot stadiumi “Qemal Stafa”. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, përveçse e kthen stadiumin në qendrën më të madhe tregtare në kryeqytet, plani i Edi Ramës parashikon edhe ngritjen e një kulle të tmerrshme betoni, po aq korruptive dhe klienteliste.
“Mirëfilltazi kemi të bëjmë me një aferë financiare dhe jo me një arenë sportive. Në mungesë të plotë transparence e konsultimi publik, dje Edi Rama ka bërë fakt të kryer projektin e tij për të zaptuar bashkë me miqtë dhe klientelën e vet zonën historike dhe monumentale, ndër më të shtrenjtat e fitimprurëset në Tiranë, me dyqane, beton e hotel.
Partia Demokratike e pati lajmëruar dhe denoncuar këtë skemë korruptive që më 24 janar të këtij viti. Por në fshehtësi të plotë Edi Rama ka vazhduar me këtë plan antisportiv në fakt, që futbollin e ka si mbulesë për pazarin e madh me qendrën tregtare”, deklaroi zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
Partia Demokratike lajmëron edhe një herë të interesuarit, bankat dhe sipërmarrësit që janë thirrur të bëhen pjesë e këtij aksioni korruptiv e financiar të Edi Ramës, se ajo nuk do e njohë dhe do ta anulojë menjëherë këtë projekt hajdutërie, sapo shqiptarët t’i besojnë drejtimin e vendit.
“E ritheksojmë se është në riskun e tyre personal dhe në përgjegjësinë e tyre nëse hedhin para, në këtë projekt të Edi Ramës, që e trajton stadiumin si pronën e tij. Partia Demokratike ju premton tifozëve një stadium sipas të gjitha standardeve olimpike moderne, për publikun, të ndërtuar me fonde publike, pa kullë, ku prioritet do të jetë sporti dhe spektatori dhe jo biznesi, klientela e Kryeministrit që kërkon të grabisë hapësirën më përfaqësuese publike dhe sportive në vend”, përfundoi zëdhënësja e PD.

Afera me tenderin

Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, do të ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron. Tenderi ndërkombëtar për “Projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit të ri u zhvillua më 29 shkurt 2016. Në të paraqiti ofertë vetëm një kompani, e cila u shpall fituese – kompania fierake “Alb Star shpk”. Projekti i propozuar nga “Alb Star” është hartuar nga arkitekti italian, Marco Casamonti. Sipas Kryeministrit, investimi do të jetë 50 milionë euro. Nuk është e qartë nëse kjo shifër përfshin vetëm pjesën e stadiumit apo edhe kullën private në pronësi të “Alb Star”. Nuk është e qartë nëse ndërtuesi do të bëjë edhe investimin në aparatura, pajisje dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e stadiumit apo vetëm të pjesës së ndërtimit. Mbas përfundimit, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes QSKZ-së, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të stadiumit, përfshi gjithë mjediset që mbeten në trupin e stadiumit dhe kulla, e cila nga disa burime raportohet 17 kate e lartë, do të jenë në pronësi të kompanisë “Alb Star shpk”. Stadiumi nuk do të ketë pistë atletike apo për ndonjë sport tjetër, por vetëm infrastrukturë për futbollin.

A.Shahini

Artikulli paraprakKosova përballet me probleme serioze ekonomike
Artikulli tjetërStadiumi i ri kombëtar, një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike