Kosova nuk i prek lojtarët e Shqipërisë

Afrimi i datës për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota e UEFA-s, që i hap rrugën pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare, nuk do të shkaktojë tërmet te Kombëtarja shqiptare. Ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, konfirmoi për emisionin “Fans Zone” vendimin e Federatës Kosovare të Futbollit, që asnjë nga afro 20 lojtarët që janë pjesë aktive e Kombëtares kuqezi, apo në listën e madhe të skuadrës, nuk do të ftohen.
“Do të bëjnë zgjedhje personale dhe ata do ta vlerësojnë më së miri, kur të jetë momenti i pranimit të përfaqësueses së Kosovës. Por, pa i prekur edhe përfaqësueset e tjera dhe mbi të gjitha në këtë rast Kombëtaren shqiptare. Unë e përsëris vendimin që kemi marrë ne si Federatë që mos t’i prekim lojtarët e Kombëtares shqiptare. Ata lojtarë që nuk kanë të drejtë të luajnë për Kombëtaren shqiptare, do të kenë mundësi tashmë që të luajnë për Kosovën, prandaj kjo vlen edhe për Adnan Januzajn”, u shpreh Sahiti.
Krahu i djathtë i trajnerit Bunjaki theksoi se, një përfaqësuese e dytë e shqiptarëve nuk e dëmton Kombëtaren kuqezi, ndërsa la të hapur edhe mundësinë e afrimit te Kosova të lojtarëve të lindur në Shqipëri. Por, kryefjala mbetet bashkëpunimi me Federatën Shqiptare. “Kombëtaren shqiptare nuk e dëmton aspak përfaqësuesja e Kosovës. Përkundrazi, në aspektin sportiv do të rritet konkurrenca. Kemi aq shumë futbollistë, sa do të kemi mjaftueshëm lojtarë për dy kombëtare. Mund të interesohemi për lojtarë që nuk mund të arrijë që të jetë pjesë e Shqipërisë, por prapë kjo do të ndodhë vetëm në bashkëpunim me Federatën Shqiptare. Asesi nuk do të marrim vendime të njëanshme, por do të respektohet FSHF për angazhimin e ndonjë futbollisti shqiptar të Shqipërisë”, tha ai.
Sahiti i është përgjigjur edhe tifozëve, sipas të cilëve mund të ekzistojë vetëm një Kombëtare e shqiptarëve dhe ajo është skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi. “Ne duhet t’i ndajmë aspektin sportiv nga aspekti patriotik. Është padrejtësi e madhe ajo që na është bërë në vitet kur ndodhi ndarja, por tashmë funksionojmë si dy shtete, e duhet të funksionojmë edhe në futboll si dy shtete. Për të pasur një Kombëtare, duhet të kemi një president, një kryeministër, një parlament dhe të funksionojmë si një shtet”, përfundoi Sahiti.

Artikulli paraprakTë gjithë në provë
Artikulli tjetërBerisha-Kuqi: Bllokimi i Rrugës së Arbërit, qëndrim i papërgjegjshëm i qeverisë shqiptare