Kontratat sekrete me 178 milionë euro për tre inceneratorët e plehrave

Partia Demokratike publikoi dje kontratat e fshehura nga qeveria për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Sipas dokumentave kontratat janë me shkelje të rënda ligjore dhe me rrezik të lartë për shëndetin publik.
Nga ana tjetër, në dokumenta faktohet se si Arben Ahmetaj gënjeu në nëntor për zbatimin e projektit të Tiranës. Kontrata ishte firmosur në 31 gusht 2017. Përmes një deklarate për mediat, drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku renditi disa nga shkeljet e rënda ligjore të kontratave për ndërtimin e iceneratorëve.
“Ndërtimi i 3 fabrikave për djegien e plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë është një nga aferat më të mëdha korruptive të qeverisë së Edi Ramës. Për të mbuluar korrupsionin, qeveria i ka mbajtur të fshehta kontratat e inceneratorëve, me të cilët Edi Rama dhe Arben Ahmetaj do të zhvasin 178 milionë euro, duke djegur plehra dhe duke helmuar ajrin. 2 prej 3 kontratave, ajo e Fierit dhe e Tiranës nuk janë botuar as në Buletinin e Agjensisë së Prokurimeve Publike dhe as në Fletoren Zyrtare, duke kryer kështu edhe vepër penale.
Por, megjithëse qeveria i ka trajtuar kontratat e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës si sekret shtetëror, Partia Demokratike ia ka dalë t’i gjejë këto kontrata, të cilat bëhen publike sot për herë të parë.
Kontratat kanë shkelje të rënda ligjore!”, tha Pelinku.
Duke u ndalur konkretisht tek kontrata për iceneratorin e Fierit, Pelinku bëri të ditur se skandali qendron në faktin se kontrata është firmosur pa patur të specifikuar, ndërkohë minimalisht truallin ku do ndërtohet objekti.
“Përshembull: Kontrata për Fierin nuk ka të specifikuar vendin se ku do të ndërtohet, duke hyrë në histori si kontrata më antiligjore e firmosur ndonjëherë, sepse asnjë kontratë nuk mund të firmoset pa patur të përcaktuar truallin, ku do të kryhet ndërtimi.
Kontrata e inceneratorit të Fierit, me pronarë të vërtetë Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, është ndër kontratat më korruptive, sepse ajo nuk ka të specifikuar as teknologjinë, as firmën e inceneratorit, asgjë!
Kontrata nuk e ka përcaktuar teknologjinë, sepse ajo është pjesa më e kushtueshme e një fabrike për djegien e plehrave. Sa më pak të kushtojë teknologjia, si këto që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Elbasan, Fier dhe Tiranë, aq më shumë helme do të nxjerrin në ajër nga djegia e plehrave!”, tha Pelinku.
Nga ana tjetër ajo bëri të ditur se, zbulimi i kontratave sekrete për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës nxjerr zbuluar edhe mashtrimin skandaloz të pronarit të 3 inceneratorëve, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
“Duke u përpjekur të akuzojë Lulzim Bashën, që kishte denoncuar aferën prej qindra milionë euro të inceneratorëve, ministri i Financave deklaroi – citoj: “Projekti i Tiranës është ende larg konkretizimit dhe hë për hë nuk mund të thuhet që është e sigurtë që do të zbatohet”
Që ky është një mashtrim i paskrupullt, këtë e tregojnë dy fakte:
Së pari, nga dokumenti i zbuluar prej Partisë Demokratike faktohet se kontrata për inceneratorin e Tiranës është firmosur në fund të gushtit 2017, pra 3 muaj përpara se Arben Ahmetaj të gënjente publikisht.
Së dyti, “për një projekt që nuk ishte e sigurt se do të zbatohej”, ministri i Financave Arben Ahmetaj ka përfshirë në buxhetin e 2018-ës disa miliona euro si pagesa për inceneratorin e Tiranës, ku në ortakëri është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj”, tha Pelinku.
Në ditët në vazhdim, Partia Denokratike do të shpjegojë me detaje sesi Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, u kanë dhënë të drejtë inceneratorëve të djegin mbetjet pa i ndarë ato, duke shkaktuar ndotje të lartë mjedisore dhe rrezik maksimal për shëndetin!”
Në një vend ku drejtësia nuk kontrollohet nga kryeministri, kjo dosje do të përbënte prioritet për drejtësinë, por Prokuroria hesht dhe peshqit e mëdhenj vazhdojnë të jenë të paprekshëm!
Partia Demokratike fton qytetarët të bashkohen me opozitën në 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes që nuk mendon për shëndetin tonë, por për pasurimin e kryeministrit dhe një grusht njerëzish rreth tij.
Së bashku, në 27 janar ne mund t’ia dalim!”, tha Pelinku.
Prej të paktën dy vitesh, qeveria Rama është fokusuar dukshëm tek industria e grumbullimit dhe djegies së mbetjeve, me dhënien e lejeve për ndërtimin e disa inceneratorëve, hapjen e disa landfilleve dhe rikthimin në Parlament të ligjit për importin e mbetjeve.
Shqipëria po shndërrohet në një kantier gjigant të djegies së mbetjeve. Pas Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe Fierit, një tjetër bashki, ajo e Shijakut ka nisur Vlerësimin e Thelluar Mjedisor për instalimin e inceneratorit që do të bëjë incenerimin e mbetjeve, ku përfshihen edhe mbetjet e kafshëve. Gjithçka e ka fillesën nga një plan i mirëmenduar nga qeveria për të nxitur biznesin e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri, duke dhënë këtë shërbim me koncesion. Pas kontraktimit të koncesionarëve që do të realizojnë ngritjen e landfilleve për djegien e plehrave apo përpunimin e tyre janë ngritur në shumë raste hije të forta dyshimi për afera korruptive dhe lidhje të ngushta të koncesionarëve me kryeministrin apo njerëzit pranë tij.

Inceneratori, banorët vijojnë protestat

Banorët e fshatit Verri në Fier vijojnë protestat kundër ndërtimit të inceneratorit. Gjatë ditës së sotme banorë të këtij fshati, që prej disa ditësh protestojnë, kanë marshuar në drejtim të vendit ku është programuar ndërtimi i inceneratorit. Banorëve i është bashkuar dhe deputetja e LSI, Nora Malaj. Sipas qytetarëve, ndërtimi i inceneratorit përbën rrezik për ta. “Mos të ndërtohet inceneratori, pasi na rrezikohen tokat. Do përdorim çdo mënyrë për të penguar inceneratorin”, janë shprehur banorët.

Artikulli paraprakNga 1 prilli taksa e banesës përmes faturës së energjisë elektrike
Artikulli tjetërDollari po zhvlerësohet me shpejtësi, po zbret drejt 107 lekëve, edhe euro e dobët