Kontrata e re e energjisë, AREA: Investitorët e mëdhenj nuk firmosin, shkojmë në Arbitrazh

Kontrata e re, që kalon marrëdhënien e prodhuesve të vegjël të energjisë nga KESH tek OSHEE për shitjen e energjisë, duket se do të vazhdojë të prodhojë përplasje. Ministria nga ana e saj thekson se nuk ka ndryshim, kurse sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, ndryshimi është drastik. Në një intervistë televizive, nënkryetari i Bordit të AREA, Sokol Meqemeja vlerëson se ata që nuk kanë firmosur janë pikërisht investitorët e mëdhenj, të huaj dhe shqiptarë, që kanë fuqinë kryesore të instaluar. Investitorët janë duke studiuar opsionet për të gjetur një zgjidhje mbi ngërçin e krijuar, pasi kjo situarë mund të sjellë probleme më të mëdha për të gjitha palët. E para, për investitorët që janë në marrëdhënie me bankat, ku kanë marrë financimin dhe duhet të paguajnë këstet e kredive dhe e dyta, ka të bëjë me arbitrazhin kundër vendimmarrjes së qeverisë. Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) e vlerëson si qëllimisht të pasaktë deklaratën e bërë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për prishjen e kontratave me investitorët e huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Në një intervistë televizive, përfaqësuesja e shoqatës AREA, Marsela Kokoshi deklaroi se prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a me anë të një VKM dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë. Sipas Kokoshit, qëllimi i vetëm i investitorëve është mbrojtja e investimeve të tyre, të bëra sipas ligjeve në fuqi të shtetit shqiptar. Përfaqësues të AREA-s theksojnë se thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme është roli që qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet. Sipas AREA, kërkohet që investitorët e huaj e shqiptarë të pranojnë një kontratë, kushtet specifike të së cilës do të përcaktohen në një ligj që nuk është miratuar ende dhe që është në proces draftimi. Përgjigjja e Ministrisë së Energjisë pak ditë më parë nuk e ka shuar debatin me prodhuesit privatë të energjisë elektrike. Në një reagim të dytë për mediat, Shoqata e Prodhuesve të Energjisë ka kundërshtuar qëndrimin e ministrisë duke e quajtur atë qëllimisht të pasaktë. Prodhuesit privatë të energjisë elektrike thonë se po fshihet e vërteta. Sipas tyre, qeveria ka vendosur t’u heqë investitorëve të drejtat ligjore të fituara më parë dhe t’i zëvendësojë me kontrata që sipas prodhuesve cenojnë hapur të drejtat e tyre. Prodhuesit pretendojnë se prishja e kontratave të shitjes me KESH dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE u sjell atyre pasiguri në investime. Prodhuesit e HEC-eve kanë kontrata koncesionare, ku kushti për investimin në vlera të larta shoqërohej me garanci nga ana e qeverisë për të blerë energjinë e prodhuar, madje me një çmim mbi vlerën e tregut. Ndërkohë, Ministria e Energjisë, prej dy vitesh po punon për të liberalizuar tregun. Me ndryshimet e fundit, sipërmarrësit e HEC-eve trajtohen si tregtare e jo prodhues të energjisë. Rrjedhimisht atyre nuk u sigurohet blerja e të gjithë energjisë së prodhuar. Investitorët shprehen të shqetësuar nga nxitimi sipas tyre i qeverisë për të firmosur kontratat e reja. Pasiguritë lidhen edhe me masat e ndërmarra tre vitet e fundit, ku si fillim u ul 20% çmimi i blerjes së energjisë tek prodhuesit e HEC-eve. Ministria e Energjisë në fund të javës së kaluar iu përgjigj prodhuesve duke theksuar se kontratat e reja nuk cenojnë të drejtat e parashikuara me kontratat koncesionare, duke theksuar se i gjithë liberalizimi i tregtisë është i domosdosheëm për reformën që po ndërmerret në sektorin e energjisë.

Artikulli paraprakÇfarë duhet të bëhet me arsenalin bërthamor?
Artikulli tjetërAnomalitë e tregut të sigurimeve në Shqipëri