Kontaktet ruse të Papadopoulosit, Trump: Ai është gënjeshtar

Sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike këtë javë, George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së Presidentit Donald Trump, tha se ishte në kontakt me zyrtarë rusë dhe i ishte thënë gjatë fushatës se, Moska ka “gjëra të pista” për kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton, dhe “mijëra emaile të saj”.
Këto dokumente të ndërlidhura me pranimin e fajësisë së zotit Papadopoulos, që është pranimi i parë i fajësisë i dalë nga hetimi i këshilltarit special amerikan, Robert Mueller, për përzierjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar dhe për marrëveshjen e fshehtë potenciale nga ana e ndihmësve të Trumpit, nuk i paraqesin emrat e kontakteve të Papadopoulosit.
Por, identiteti i dy individëve të këtillë duket se janë konfirmuar–një person i përshkruar në dokumentet e Gjykatës si “profesor” dhe një tjetër si “lidhje” me Ministrinë e Jashtme të Rusisë.
Emri i një femre, për të cilën Papadopoulos fillimisht kishte menduar se ishte mbesa e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, megjithatë mbetet e paqartë.
Më 5 tetor, George Papadopoulos e ka nënshkruar deklaratën e pranimit të fajësisë. Ai ishte arrestuar më 4 korrik lidhur me akuza se i ka gënjyer agjentët e FBI-së. Pra, kush ishin individët kryesorë me lidhje me Rusinë?

“Profesori”

Sipas dokumenteve gjyqësore, Papadopoulos e ka takuar këtë person së paku tri herë dhe kishte pasur kontakt me email me këtë person për disa muaj.
Takimi i tyre i parë në Itali, ka ndodhur në mars të vitit 2016, pasi Papadopoulos kishte mësuar se do t’i bashkohej ekipit të fushatës së Trumpit si këshilltar për politikë të jashtme.
“Profesori ka pretenduar se ka lidhje substanciale me zyrtarë qeveritarë rusë” dhe se Papadopoulos ka besuar se ai “mund ta shtojë rëndësinë e tij si këshilltar për politikë të jashtme në fushatë”, thonë dokumentet.
Papadopoulos ka thënë në pranimin e fajësisë se “profesori” i ka thënë atij në një takim në Londër, në fund të prillit të vitit 2016, se ai aktualisht ishte kthyer nga Moska dhe kishte mësuar se, Rusia kishte “gjëra të pista” për Hillary Clintonin në “formë të mijëra emaile-ve”.
Një numër i mediave perëndimore kanë konkluduar nga këto informacione, se personi i përmendur është profesor Joseph Mifsud, shtetas i Maltës dhe “drejtor nderi” i Akademisë Diplomatike në Londër.
Zoti Mifsud ka konfirmuar për “The Daily Telegraph” se, ai është profesori me seli në Londër, që është përshkruar në dokumentet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara, por i ka hedhur poshtë pohimet se ka bërë gjëra të gabueshme.
“E kam ndërgjegjen e pastër”, e ka cituar atë gazeta britanike.

“Mbesa e Putinit”

Identiteti i kësaj femre mbetet i paqartë. Në dokumentet e Gjykatës, ajo është identifikuar si “shtetase ruse”.
Papadopoulos tha se ishte paraqitur te kjo femër më 24 mars të vitit 2016, në takimin së bashku me “profesorin” e përmendur.
Amerikani Papadopoulos, fillimisht kishte besuar se ajo ishte “mbesa e Putinit”, megjithqë kjo doli se ishte e rrejshme.
Pas këtij takimi, Papadopoulos u kishte shkruar zyrtarëve të lartë të fushatës Trump, duke u thënë se temë e diskutimit të tyre kishte qenë “aranzhimi i takimit ndërmjet nesh dhe udhëheqjes ruse për diskutim të lidhjeve SHBA–Rusi, nën Presidentin Trump”.
Në dokumentet gjyqësore theksohet se, Papadopoulos “kishte besuar se shtetasja ruse kishte lidhje me zyrtarët e nivelit të lartë të qeverisë së Rusisë dhe mund të ndihmojë në aranzhimin e një udhëtimi potencial të politikës së jashtme në Rusi”.
Në deklaratën për pranimin e fajësisë, Papadopoulos kishte pohuar se i ka gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me komunikimin me këtë femër.

“Lidhja me MJ të Rusisë”

Në dokumentet gjyqësore amerikane, thuhet se në prill të vitit 2016, “profesori” i përmendur e kishte njoftuar Papadopoulosin nëpërmjet email-it me një “individ në Moskë”, i përshkruar si “shtetas rus i lidhur me Ministrinë e Jashtme ruse” dhe shkurtimisht ishte shënuar si “Lidhja me MJ të Rusisë”.
Derisa emri i këtij individi nuk është dhënë, detajet e kontakteve të tij me Papadopoulosin duket se sinjalizojnë se ky person ishte Ivan Timofeyev, drejtor i programeve në Këshillin për politikë ndërkombëtare ruse, që është institut i mbështetur nga qeveria e Rusisë.
Se Papadopoulos kishte kontakte me këtë person është ditur gjërësisht prej gushtit, kur e përditshmja “Washington Post”, ka raportuar për përmbajtjen e email-ve ndërmjet dy personave, ku ishte diskutuar për mundësinë e vizitës së Trumpit në Moskë.
“Washington Post” e ka cituar një email dërguar Papadopoulosit nga Timofeyev, në të cilin ky ekspert politik rus kishte thënë se zyrtarët në Ministrinë e Jashtme ruse ishin bashkëpunues për një vizitë të zotit Trump dhe se fushata e tij duhet ta dërgojë një letër formale për këtë çështje.
Disa ditë më vonë, në një intervistë për portalin rus të lajmeve, Gazeta.ru, Timofeyev tha se, korrespondenca ishte bërë me iniciativën e Papadopoulosit dhe se ata të dy “kishin folur disa herë me Skype, por kurrë nuk kanë hyrë në diçka specifike”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në Uashington e ka përshkruar Papadopoulosin si figurë të vogël në fushatën Trump dhe se ai kishte arritur të aranzhojë takim me kontakte ruse, por “asgjë nuk kishte ndodhur më tepër”.
Në një postim në rrjetin Twitter, Presidenti Trump ka shkruar: “Pak njerëz e kanë njohur vullnetarin e ri të nivelit të ulët me emrin George, i cili tashmë është dëshmuar se ishte gënjeshtar”.

Artikulli paraprakfaqe e pare
Artikulli tjetërfaqa e pare