Konstituohen komisionet e vettingut

Janë konstituuar edhe 2 komisionet e tjera ad-hoc për ngritjen e organeve të vettingut, një me 12 anëtarë që do të zgjedhë Komisionin e pavarur të Kualifikimit dhe një me 6 anëtarë për Kolegjin e Apelimit. Ndërkohë Komisioni që do të kryejë verifikimin e kandidatëve miratoi kalendarin e punimeve në të cilin në datat 29 dhe 30 maj do të përmbyllë dëgjesat me kandidatët dhe do të miratojë listën finale me kandidatët që janë të gatshëm për votim. Të hënën në orën 10:00 dhe të martën në orën 9:00 të mëngjesit, Komisioni ad-hoc i Verifikimit të Kandidatëve për procesin e vettingut, do të thërrasë në seancë dëgjimore të 193 aplikantët pjesëmarrës në garë. “Propozoj që kandidatët e listës B të njoftohen të gjithë për seancë dëgjimore, ndërsa tek lista A siç e parashikon ligji të njoftohen kandidatët që kanë marrë një rekomandim negativ nga ONM dhe Komisioni. Në proces e sipër të punës këtu jemi, do të vendosim edhe për seancë dëgjimore edhe për pjesën tjetër të kandidatëve që kanë marrë rekomandim pozitiv nga Avokati i Popullit dhe ONM”, tha Manja. Deputeti Flamur Noka kërkoi që mbledhjet e Komisionit të bëheshin në darkë, kërkesë që nuk u mor parasysh nga anëtarët e tjerë të Komisionit. “Ne gjatë gjithë ditës duhet të jemi në fushatë, prandaj unë propozoj që të gjitha seancat t’i zhvillojmë darkave, natën deri në mëngjes. Sepse unë ditën jam në fushatë zonjë”. Ky Komision ka afat deri më 1 qershor për të nxjerrë listën përfundimtare me kandidatët që janë të gatshëm për votim për t’ia përcjellë më pas dy komisioneve të tjera ad-hoc që do të bëjnë përzgjedhjen. Më herët edhe këto dy komisione zhvilluan mbledhjen e konstituimit dhe planifikuan ditën e hënë, ora 9:00, si ditën e trajnimit për sistemin elektronik me të cilin do të bëjnë votimin e kandidatëve. Kjo u shoqërua edhe me batuta mes anëtarëve të Komisionit. “Ne duhet të na japin garancinë që kur zgjedhim një kandidat nuk na del ndonjë kandidat tjetër”. Gjithë procesi i ngritjes së institucioneve të vettingut, i parashikuar në Kushtetutë, duhet të mbyllet brenda datës 24 qershor. Kushtetuta dhe ligji e kanë të detajuar procedurën e ngritjes së organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pritej vetëm ngritja e komisioneve me emrat e opozitës, e cila ka të njëjtin numër anëtarësh me mazhorancën në komisionet përzgjedhëse parlamentare. Këta janë 6 anëtarët e komisionit të parë Ad Hoc të Kuvendit që do t’u duhet maksimumi dhjetë ditë të përzgjedhin mes 193 aplikantëve tek Avokati i Popullit më të pastrit e profesionistët për dy institucionet e vettingut dhe komisionerët publikë. Në Kuvend, aktualisht janë dorëzuar tri lista: e para është ajo e Avokatit të Popullit me 84 persona që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë në këto komisione. Një listë tjetër ka të bëjë me ata persona që nuk i plotësojnë kriteret, ndërkohë që është prezente dhe lista e rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që përmban 67 emra, por që nuk janë bërë publikë. Pasi komisioni të ketë verifikuar çdo dokumentacion dhe pasi të kenë dëgjuar të 193 aspirantët për pastrimin e drejtësisë, do të hartohet një listë unike, që ju përcillet dy komisioneve që kanë përkatësisht 12 dhe 6 anëtarë.

Artikulli paraprakRikthimi i BE-së në Ballkanin perëndimor
Artikulli tjetërDenoncimet e qytetarëve, ekskursione maturantëve në këmbim të votës