Koncesioni i ri i Ramës për të rrjepur shqiptarët me pullën e barnave, nga 6 lekë në 31 mijë lekë

Pulla e barnave kushtonte vetëm 6 lekë të vjetra, ndërsa me koncesionin e ri të Ramës do të kushtojë deri në 31 mijë lekë. Projekti i ri i rrjepjes së shqiptarëve është futur në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit dhe pritet që të diskutohet gjatë javëve të ardhshme. Kjo është tentativa e dytë e Ramës për të kaluar një koncesion të tillë që do t’u kushtojë mjaft shtrenjtë shqiptarëve.
Çuditërisht deputeti Vasili që në dhjetorin e vitit të kaluar nuk bashkoi votat me PD për të rrëzuar projektin e koncesionit të Ramës është bërë tani edhe denoncuesi i këtij koncesioni. Pavarësisht ndryshimit në qëndrime, ajo që ka rëndësi është krijimi i një fronti të gjerë në Parlament kundër rrjepjes së shqiptarëve.
Projektligji është sjellë fillimisht nga Beqja në Komisionin e Shëndetësisë në dhjetorin e vitit të kaluar, por u kundërshtua si nga PS ashtu edhe nga LSI. Kjo e bëri Ramën që të tërhiqej në atë kohë.
Ndërkohë që aktualisht këto pulla kanë çmim fiks prej 6 lekësh të vjetra, me projektligjin e ri ka bërë gati, kjo tarifë bëhej sa 2.4 për qind e çmimit të produktit, ose afërsisht të rritet me disa dhjetëra herë. Pikërisht këtë nisëm të ekzagjeruar të Ministrisë së Shëndetësisë kanë rrefuzuar në grup PD dhe LSI.
Një pikë tjetër që është kundërshtuar është ajo që i garantonte koncesionit se nëqoftëse xhiro totale bie nën 128 ml euro, atëherë do të jetë shteti ai që do të duhet tja kompensojë këto para. Por ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo është ngritur kundër. ‘Nuk mund të votoj pro kësaj marrëveshjeje. Ajo duhet të kalojë në rinegocim dhe të vijë një herë tjetër për t’u diskutuar. Nuk mund të pranoj që me votën time të shtohet kosto në dëm të pacientit”, deklaroi Tavo.
Koalicionin PD-PS në Komisionin e Shëndetësisë nuk e ka bindur as insistimi i Ilir Beqes që pretendonte se me vendosjen e pullës fiskale për barnat rritet siguria, pasi do të ngrihet për herë të parë në Shqipëri sistemi i gjurmimit të barnave.
“Sot kemi një pullë që kushton 6 lekë të vjetra, por nuk ka një sistem që gjurmon në çdo moment. Kontrata e vitit 2011 ende pa hyrë në fuqi ka po një pullë që do kushtonte po të zbatohej 24 lekë. Po ishte prapë pullë. Këtu kemi edhe një sistem informatik, që do të thotë se ka të paktën 200 milionë transaksione në vit, 2.500 përdorues, sistemi do punojë 365 ditë të vitit dhe maksimalisht 20 orë në ditë”, deklaroi Beqaj.

Vasili: Rritje deri 5 herë e çmimit

Tërhiqu kryeministër nga taksa e shëndetit.
Në programin e punimeve të Kuvendit është futur përsëri nga qeveria miratimi i koncesionit të pullës së barnave.
Pulla aktualisht kushton vetëm 6 lekë të vjetra. Me koncesionin, që do të miratojë qeveria, pulla do të kushtojë nga dhjetëra deri mijëra herë më shtrenjtë. Thënë më thjeshtë: nga 6 lekë të vjetra mund të arrijë edhe deri në 31 mijë lekë të vjetra, pra rritje rreth 5 mijë herë.
Kjo, pasi pulla e barnave tash e tutje do kushtojë sa 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë. Grabitje kjo që nuk është parë gjëkund.
Kjo është taksa direkte më abuzive mbi shëndetin, që do paguajnë qytetarët.
Shëndetësi falas nuk pati jo e jo, por për më zi akoma, po shtojnë dhe taksa të rënda si kjo e pullës, që i bën shqiptarët të paguajnë akoma më shumë për barnat.
Kryeministri nga ligji i dekoratave edhe tërhiqet, por kur vjen puna te ligjet, që u hanë lekët dhe i varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë të tjerët me koncesione, ai nuk tërhiqet kurrë.
Tërhiqu kryeministër, kurseja vetes të paktën këtë gjynah, që lidhet me shëndetin.

Koncesioni i check up na kushton 120 milionë euro

Në tetorin e vitit 2014, zonja Nushi do të shpallej fituese e një tenderi shumëmilionësh që do e kishin zili dhe oligarkët rusë. 120 milionë euro për 10 vjet, nga koncesioni për kontrollin e popullsisë. Një vlerë kjo e barabartë sa vlera e disa spitaleve luksoze që mund të kryenin shërbime të tilla në të gjithë vendin. Në lidhje me këtë tender, Prokuroria një vit më vonë hapi hetimet. Akuza ka të bëjë që me fillesat e këtij koncesioni; tenderimin e tij dhe abuzimin e hapur të jashtëligjshëm që është bërë me procedurat favorizuese ndaj përfitueses Vilma Nushi, kliente personale e kryeministrit Rama. “Koncesioni i check up-it i është dhënë kompanisë që e ka pasur ofertën 25 për qind më të lartë sesa oferta e grupit të kompanive, e cila nuk e fitoi. 18.5 milionë është dëmi ekonomik vetëm në procesin e tenderimin”, thuhet në dosje vetëm për mënyrën sesi është dhënë ky koncesion. Përveç mënyrës abuzive të tenderimit, po hetohet edhe për implementimin e këtij shërbimi. Është vërtetuar se janë paguar afro 1.5 milionë euro, për shërbime të pamarra. Që nga muaji mars i vitit 2015, kur nisi ky shërbim dhe deri në dhjetor të vitit 2016 kompania e Vilma Nushit duhej të bënte kontrollin e afro 365 mijë qytetarëve, por shërbimi sipas shifrave zyrtare, është marrë vetëm nga 244,420 pacientë. Pa u futur në vërtetësinë e shërbimit edhe për rreth 250 mijë qytetarët e deklaruar, skandali qëndron te fakti se kompania ka marrë paratë, edhe për rreth 120 mijë check up-e që nuk i ka kryer. Por Beqaj nuk është ndalur me kaq. Ai po hetohet edhe lidhur me vendimin flagrant korruptiv për zgjerimin e fashës së personave që kryejnë check up-in nga 45–65 që ishte sipas kontratës fillestare, duke e çuar në 35–75 vjeç. Ky ndryshim u bë jo vetëm për të mbuluar dështimin total të check up-it, por edhe për të rritur fondet shtetërore, për kompaninë e mikeshës së kryeministrit. Bëhet fjalë për 50 milionë euro plus, për 10 vitet e ardhshme. Si për habinë e të gjithëve, po atë vit pra, në dhjetorin e vitit 2015, Rama do të niste një fushatë të ethshme kundër prokurorëve dhe gjykatësve me reformën e tij në drejtësi. Duhet theksuar se fundi i 2015-ës dhe viti 2016 kanë qenë kulmi i sulmeve të Ramës ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të këtij vendi, teksa raportet e KLSH raportonin në Prokurori qindra miliona euro dëme nga koncesione të këtij tipi dhe jo vetëm në shëndetësi.

Koncesioni i sterilizimit, emigranti fiton 100 milionë euro

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore i kushton buxhetit të shtetit 71 milionë euro pa TVSH, për 10 vitet e ardhshme dhe vlera totale shkon në 100 milionë euro. Vitin e shkuar media publikoi një hetim për procedurat e fitimit të këtij koncesioni, nga “Investital llc”, “Servizi Italia spa”, “U.Jet srl” dhe “Tecnosanimed Investital” që del kompania kryesore në këtë sipërmarrje, është e regjistruar në Kosovë me pronar biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili përpara se të shpallej fitues u shfaq edhe publikisht në shoqëri të ngushtë me Ilir Beqajn dhe Edi Ramën, veçanërisht në kohën kur ishin në opozitë. Pas investigimit në fjalë rezultoi se Rrapaj nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore; kompania e tij në Itali, vepronte në fushën e “artizanaleve” dhe ishte aq e fuqishme saqë kishte të deklaruar vetëm një punonjës dhe një kapital qesharak. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013, Rrapaj u kthye në Shqipëri dhe ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me ish-ministrin Beqaj. Ai e prezantoi atë, edhe me ortakët e tij italianë. Rrapaj mori pjesë në një aktivitet të qeverisë në nëntor të 2013-ës dhe më pas, ish-ministri Beqaj udhëtoi për në Perugia në dhjetor të 2013-ës, ku u takuan sërish. Beqaj udhëtoi dhe disa herë të tjera për në Perugia dhe firmosi disa marrëveshje me institucionet vendore, gjithmonë në prani të klientit rishtar Rrapaj.

Koncesioni i laboratorëve 100 milionë euro

Por hyrja e 2017-ës do të ishte sërish një vit i begatë për kompaninë e Vilma Nushit, e cila këtë herë do të fitonte një koncesion, atë të laboratorëve ose 80 për qind në rang vendi të këtij shërbimi. Në fillim u fol për 65 milionë euro që do i jepeshin kompanisë, por më pas u shtuan dhe 25 milionë euro dhe shuma shkoi në 100. Kjo realizohej nëpërmjet një kompanie tjetër të hapur jo në emër të saj, por të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, një kompani e cila deklarohet me 137 mijë humbje vjetore. Në fakt, koncesioni është një aferë e pastër korrupsioni dhe termat me të cilat është dhënë i shkojnë për shtat një kompanie me humbje. Kjo sepse marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi, kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë 18 laboratorët publikë spitalorë, që përbëjnë 80% të tregut aktual, të cilët do të privatizohen. Me gjithë ndërtesat, pajisjet, reagentet, gjithçka.

Hemodializën me vlerë 86 milionë euro e fiton kioska nga Berati

Kontrata për shërbimin e hemodializës u dha me kohëzgjatje prej 10 vjet, me një vlerë të përgjithshme prej 63.5 milionë euro pa TVSH ose 86 milionë dollarë. Qëllim i saj ishte dhënia e shërbimit të hemodializës në Tiranë, rindërtimi i hapësirave mjekësore në Vlorë e Shkodër dhe krijimi i tri qendrave shëndetësore në Lezhë, Korçë dhe Elbasan, sipas standardeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë hapi procedurën për tenderin e hemodializës, në maj të vitit 2015. Sipas një tjetër investigimi, kompania përfaqësuese e bashkimit të kompanive që fituan tenderin, “Evita shpk”, është një kompani e cila vepron në fushën e farmaceutikës. Sipas dokumenteve publike, “Evita”, e themeluar në maj të vitit 2013, u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej qindra eurosh (736 euro) në një kapital, prej 221,735 mijë euro vetëm gjatë vitit 2015. Pronarja e kompanisë “Evita”, Majlinda Fetiu, nuk ka asnjë shkollim në farmaceutikë apo ndonjë profesion tjetër në fushën e shëndetësisë; ajo është kushërira e administratorit të një spitali privat në Tiranë. Administrator i “Evitës” është një ish-nëpunës i të njëjtit spital dhe “Evita” kishte adresë zyrtare katin e dytë të ndërtesës së spitalit. “Evita” e fitoi tenderin e hemodializës në konkurrim me tetë ofertues, edhe pse ishte kompania e dytë me ofertën më të lartë. Është e paqartë se cilat kritere e kthyen kompaninë “Evita” në të preferuarën e qeverisë. Ajo nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në dhënien e shërbimit të hemodializës.

Nushi nuk ndalet, fiton dhe tenderin 10 milionë euro të ortopedisë

Vilma Nushi ka fituar më shumë se 100 tendera në vit, rreth 11 miliardë lekë të vjetra pa llogaritur 120 milionë eurot e check up-it. Ky është rezultati i një hulumtimi të imtësishëm në thuajse 3 vjet e gjysmë qeverisje të Edi Ramës dhe ish-ministrit të tij të Shëndetësisë, Ilir Beqajt. Vilma Nushi ka marrë thuajse 128 milionë euro gjatë qeverisjes së socialistëve. Në ka një kompani që ka rezultuar më e suksesshmja në tenderat e shëndetësisë është pikërisht “Trimed” SHPK, me të cilën operon kryesisht sipërmarrësja Vilma Nushi në prokurime. Dhe mesa duket, mesatarja e tenderave të fituar në një vit të çon në konkluzionin se është me të vërtetë kompania e preferuar e procesit të kalimit të parave nga shteti, drejt privatit. E fokusuar në mbledhjen e parave publike me tendera, të mëdhenj, të vegjël, Nushi ka fituar plot 11 miliardë lekë në furnizimin me ilaçe të spitaleve anembanë vendit, tenderin e ortopedisë dhe pajisjeve mjekësore. Një pjesë të tenderave, Nushi i ka fituar në bashkëpunim me kompaninë “Medicamenta”.

Artikulli paraprakKatalonja midis indipendentizmit dhe kushtetutës, ja nga lind kundërshtia e përjetshme
Artikulli tjetërIraku nis ofensivën për të rimarrë qytetin Havija nga IS-i