Koncesioni i fshehtë 150 milionë dollarë, qeveria monopolizon mirëmbajtjen e rrugëve

Vetëm katër muaj para përfundimit të mandatit, qeveria vazhdon të transferojë kontrata me vlera marramendëse tek privatët. Koncesioni i radhës është ai i mirëmbajtjes së rrugëve kryesore të vendit, për të cilin qytetarët shqiptarë do të paguajnë 150 milionë dollarë në 5 vitet e ardhshme. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur me shpejtësi tenderat, të cilët e monopolizojnë tërësisht mirëmbajtjen e akseve kryesore të vendit tek vetëm katër 4 kompani private, nga 92 kompani që janë aktualisht.
Ky është një projekt i përbashkët mes qeverisë dhe Bankës Botërore, i cili ndryshon tërësisht sistemin e mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri. Sipas projektit, 12 qarqet e vendit janë grupuar në katër rajone të mëdha. Këto janë rajoni i veriut, ai i qendër verilindjes, rajoni i qendër juglindjes dhe ai i jugut. Secili rajon do të mirëmbahet nga vetëm një kompani. Kjo do të thotë se 1300 kilometra rrugë kombëtare në 5 vitet e ardhshme do të mirëmbahen nga vetëm 4 kompani private, tashmë të përzgjedhura.
Sipas tyre, kontrata parashikon jo vetëm mirëmbajtjen fizike, por edhe investime për mirëmbajtjen e rrugëve në standarde europiane, si dhe për korrigjimin e atyre që konsiderohen si zona të zeza për nga rreziku i aksidenteve. Përmes këtij tenderi, mirëmbajtja e akseve më të rëndësishme në Shqipëri do të përqendrohet vetëm në katër kompani nga mbi 90 kontrata që janë aktualisht. Banka Botërore, e cila financon gjysmën e vlerës së kontratës thotë se përmes tij do të bëhet e mundur që Shqipëria të reduktojë me 15 për qind vdekjet nga aksidentet rrugore, një tregues që vendi ynë e ka ndër më të lartët në Europë.

Artikulli paraprakInflacioni në eurozonë kap nivelin prej 2%, efekt edhe në Shqipëri
Artikulli tjetërFMN: Qeveria vendos taksë të re mbi pronën