FMN: Qeveria vendos taksë të re mbi pronën

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e plotë të rishikimit të nëntë dhe të dhjetë të marrëveshjes me Shqipërinë vuri në dukje se vendi ynë duhet të vijojë politikën e konsolidimit fiskal për të plotësuar objektivin për uljen e borxhit publik, duke këshilluar se duhet një vullnet i fortë politik.
Duke qenë se marrëveshja trevjeçare me Fondin ka përfunduar dhe para janë zgjedhjet e parlamentare, FMN ka porositur qeverinë që të mos japë stimuj fiskalë. Duke shpjeguar zbatimin e marrëveshjes, FMN ka vënë në dukje se duhet përshpejtuar reforma mbi taksën e pronës dhe sipas projektit të qeverisë kjo taksë do të vilet tek faturat mujore të dritave dhe ujit.
Autoritetet synojnë të fusin një taksë të pronës më 2017, teksa të ardhurat nga tatimi mbeten ende të ulëta edhe krahasuar me vendet e rajonit. FMN thotë se kryeministri ka miratuar një plan veprimi dhe një grup të veçantë pune që po drejton procesin.
“Kadastra fiskale është duke u zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ministria e Financave është duke zhvilluar projekt pilot në katër zona të mëdha, duke integruar faturat e tatimit të pronës në faturat e energjisë elektrike dhe ujit, për ta shtrirë më tej këtë skemë”, thuhet në raportin e FMN-së.
FMN vë në dukje se autoritetet në Shqipëri kanë zbatuar një rregullim të konsiderueshëm fiskal. Krahasuar me vitin 2013 të ardhurat janë rritur me rreth 2.7 për qind të PBB-së. Por efikasiteti i sistemit të taksave dhe reforma e tatimit mbi pronën sipas vlerës së tregut është e vonuar.
Fondi konsideron se strategjia e konsolidimit fiskal kërkon angazhim të fortë politik. “Autoritetet duhet të përmbahen nga dhënia e stimujve të rinj tatimorë. Plani i veprimit për të futur një taksë të pronës vlerësimi me bazë duhet të zbatohet urgjentisht. Reformat për modernizimin e administratës tatimore janë çelësi për të siguruar konsolidim fiskal në mënyrë efikase dhe përmirësimin e klimës së biznesit”.
FMN vë në dukje se reformat kyçe në administratën tatimore kanë përparuar, duke përfshirë edhe zbatimin e një sistemi të ri IT dhe ristrukturimin e plotë organizativ me një fokus menaxhimi e risku. Megjithatë, kapacitetet e administratës tatimore mbeten një sfidë.
Adresari, që Ministria e Brendshme është duke azhurnuar në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes, do të prodhojë të dhënat mbi sipërfaqet e banesave në të gjithë vendin, të cilat më pas Ministria e Financave do t’i përdorë për qëllime taksimi, ku me formulën e re të pritshme, taksa mbi pronën do të paguhet mbi vlerën e tregut dhe jo me kuotë fikse.
Ministria e Financave ka nënshkruar për këtë qëllim një memorandum me OSHEE për ndarjen e bazës së të dhënave. “Censusi” i OSHEE-së dhe Ministrisë së Brendshme për adresarin e ri të apartamenteve është duke u aplikuar. Është duke u plotësuar një formular nga zotëruesit e apartamenteve në të gjithë vendin.
Ai ka për qëllim të evidentojë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e objektit, të dhënat për kryefamiljarin, të dhëna për NIPT-in nëse ka biznes. Gjithashtu formulari kërkon të plotësohen të dhënat në lidhje me sipërfaqen e banesës dhe pronarin real të objektit.
Në formular kërkohen të plotësohen të dhëna të detajuara në lidhje me stacionin e kontratave të energjisë dhe të ujit. Për energjinë kërkohet nëse keni matës apo jo dhe nëse keni kontratë me OSHEE. Të njëjtat të dhëna do të kërkohen edhe për ujësjellës-kanalizime.
Këto të dhëna pasi të grumbullohen nga kompanitë që ndodhen në terren do të përdoren nga qeveria edhe për qëllim të kadastrës fiskale që synon të vërë një tatim mbi pronën në bazë të vlerës së tregut dhe jo në kuotë fikse siç aplikohet tani.
Duke qenë se fondi i banesave në të gjithë vendin është gati 60 për qind pa hipotekë sipas të dhënave të censusit të 2011, ky regjistër i ri në lidhje me sipërfaqet e banimit do të ndihmojë qeverinë të taksojë edhe banesat pa hipotekë.
Do të pilotohen taksimi i pasurisë sipas kësaj formule në qytetet e Tiranës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe më pas projekti do të shtrohet në të gjithë Shqipërinë.
Më tej ministri e Financave ka pohuar se taksa e re pronës do të vilet nëpërmjet faturave të energjisë. Ligji i ri i tatimit mbi pronën do të shkojë në Parlament gjatë muajit shtator.

Artikulli paraprakKoncesioni i fshehtë 150 milionë dollarë, qeveria monopolizon mirëmbajtjen e rrugëve
Artikulli tjetërMielli serb që shitet rrezikon shëndetin e shqiptarëve