Komunist mos mu boft as qeni shpis!

Edison YPI

Sentencën madhështore e uluriti me duart e ndera përpara dhe sytë nga qielli mu në mes të restorantit një mirditor. Nga këto fjalë të fuqishme me një bukuri të pashoqe, të gjithë shtangën, lugët u mbetën pezull, gojët plot me pilaf hapur. Krejtësisht i ngrirë nga ky befasim i mrekullueshëm, pronari i restorantit j’u drejtua mirditorit; “Çfarë është kjo perlë o burr” i dheut, ku e ke dëgjuar këtë mrekulli? Është proverb dibran, tha mirditori me zërin që i dridhej nga emocionet.
Ore, ju drejtua mirditorit një pukjan, e ke gabim. Komunisti nuk është qeni i shpis. Komunisti është muti i shpis. Aspak, ja preu një shkodran, t’i thuash komunistit mut i bën një kompliment. Muti është lëndë organike. Komunisti është prej guri, pra lëndë inorganike. Dallimin e kanë bërë Darvini dhe Engelsi. As qeni i shpis, as muti i shpis. Komunisti është gjarpëri i shpis, ndërhyri befas një elbasanlli thatuq. Ulu ti se s’di gjë, ja priti një lushnjar me berretë.
Komunisti është derri i shpis dhe pik. A ju shplaftë kolera të gjithëve, u ngrit në këmbë duke lënë në mes pilafin e saponisur një kavajs. Mos u mburrni kot me qena dhe komunista. Ajo që u tha këtu për komunistin qen apo qenin komunist, nuk është gjë e re, është proverb që qarkullon në të gjitha trevat tona dhe Diasporë. Më zëntë sytë ky pilaf po s’qe kështu, e përfundoi ligjëratën kavajsi, dhe u ul. U hodh një lab. Labi vuri në dukje se çfarë u tha këtu për komunistin janë gënjeshtra.
Komunisti nuk është qen, por qen bir’ qeni, tha labi, por jo i shpis, se po të thuash komunistit qen i shpis, i bie që gjithë shpia të jetë shpi qensh. Ja nisi një tironc; O budallenj, unë mund ta kuptoj universalitetin e simbolikës së një proverbi me qena dhe komunista; unë mund të kuptoj e pranoj gjithashtu edhe hilet e secilit prej jush për ta paraqitur proverbin e bukur me qen dhe komunist si të krahinës së vet; nuk kam asnjë kundërshtim edhe që të shpallim një konkurs ku të jepet edhe një çmim për proverba me qena dhe komunista.
Ajo që unë nuk kuptoj dhe me durim prita ta them është se ju, brenda laryshisë së pafundme të qenërisë komuniste, nuk po bëni asnjë saktësim se për çfarë qeni komunist bëhet fjalë, për komunistin qen-zagar, komunistin qen-lagua, komunistin qen bushtër, komunistin qen-kone, apo çfarë tjetër qeni komunist apo komunisti qen? Jini më seriozë ju lutem. Jo, i shtrenjti im, u hodh një skraparlli që deri atëhere kishte heshtur, e ke gabim.
Sa kohë qeni dhe komunisti jetojnë në simbiozë, pra sa kohë qeni dhe komunisti s’bëjnë dot pa njëri-tjetrin, është e qartë se si qeni dhe komunisti, qen dhe komunist kanë qenë, qen dhe komunist janë, dhe qen dhe komunist do mbeten në jetë të jetëve. Por cilësimi, si i qenit komunist po ashtu edhe i komunistit qen, i bërë si në proverbin e mësipërm, s’ka ndonjërë rëndësi kushedi se çfarë. Dua të them se universaliteti, si i qenit dhe i komunistit, nuk mund të jetë mbi universalitetin e proverbit. Ose, që ta kuptoni më mirë; Proverbi me qen dhe komunist, sado qen ai komunist, dhe sado komunist ai qen, nuk mund të jetë më universal se një qen proverbial, dhe anasjelltas, fëlliqësinë e një qeni proverbial nuk e shton dot, nuk e bën dot më të fëlliqët asnjë kombinim verbal proverbial sado gjenial.
Kuptojeni karakterin relativ, si të qenve dhe komunistave nga njëra anë, dhe atë të proverbave nga ana tjetër. Ja, kaq e thjeshtë është, kot e zgjasni. Ligjërata e skraparlliut që pretendoi spjegim shterrues, i ndezi edhe më tepër gjakrat. Në rrëmujë e sipër, u hodh një leskoviqar. Leskoviqari tha, Kot i jeni qepur, si qenit komunist edhe komunistit qen. Po harroni se sado të ngjajshëm që janë qeni dhe komunisti janë në pikëpamje të lehjes dhe tinzarllëkut, si qentë dhe komunistat, nuk janë njëlloj.
Ka komunist e komunist, po ashtu si ka dhe qen e qen. Ka komunist e qen roje, komunist e qen qefi, komunist e qen rrace, komunist e qen luksi, komunist e qen gjahu ose zagar etj. Ku janë për qen komunistin ose komunistin qen, lukunia e tërë këtyre qenve dhe këtyre komunistave në proverbat tuaja? Në atë moment u hodh një mustaqelli i panjohur në atë lokal. Po t’u futemi komunistave dhe qenve kaq thellë sa thua t’i o leskoviqar, duhet t’i marrim me radhë pastaj; Qen komunist me shkollë, komunist qen pa shkollë, qen komunist me specializim, komunist qen pa specializim, qen komunist me tituj, komunist qen pa tituj, qen komunist rrace, komunist qen ordiner, qen komunist me lesh, komunist qen pa lesh etj., gjë të cilës s’ja kemi ngenë, se s’po bëjmë simpozium qensh e komunistash këtu, muhabet po bëjmë.
Unë, megjithë respektin ndaj jush si analista qensh, ju them një gjë; Analizat tuaja janë të cekëta. Shpia nuk ka vetëm komunista qen dhe qen komunista. Shpia mund të ketë edhe komuniste bushtër, komunist derr, komuniste dhelpër, komunist iriq, komunist gjarpër, komunist plesht, komunist morr, komunist buburrec. Duhet të thelloheni. Pa folur për qenin komunist të ngordhur dhe qenin komunist zgjebarak, për të cilët me plot të drejtë nuk interesohet kush, po j’u them se mund të durohet një qen komunist i ngopur, mund të përballohet edhe një qen komunist i kamur, por është përtej kapaciteteve njerëzore përballimi me sukses i një qeni komunist llapaqen, i cili, për të vetëm arësye se është qen i ngrënë e i pirë, i veshur e i mbathur, i duket vetja edhe qen i ditur. Unë nuk po them që me qenin komunist llapaqen mediatik, verbal, audio-viziv ose të shkruar, të bëni si bëjnë gjithë bashkitë e botës që atë qen komunist e helmojnë ose e vrasin. Duhet të gjeni mënyrë tjetër, më demokratike. Përndryshe, po vazhduat të merreni me qenin komunist si me ndonjë zotni të madh duke i dedikuar atij qeni proverba e më the e të thashë, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të kënaqeni që haberi mbi shqiptarët që flasin kaq hollësisht por pa asnjë rezultat për qenin komunist dhe komunistin qen, pas pak do marri dhenë si lajmi më i çuditshëm, i disa njerëzve edhe më të çuditshëm, që po thyejnë rekordin botëror të të marrurit pafund me një qen, pa asnjë rezultat.

Artikulli paraprakLavdia e një dordoleci!
Artikulli tjetërVotimet e Ramës për të mos lejuar zgjedhje, një manipulim, dhunim, blerje, kërcënim dhe shkatërrim i votës së lirë