Votimet e Ramës për të mos lejuar zgjedhje, një manipulim, dhunim, blerje, kërcënim dhe shkatërrim i votës së lirë

Partia Demokratike e ka cilësuar referendumin e PS një farsë për të mos lejua zgjedhje, manipulim, dhunim, blerje, kërcënim dhe shkatërrim të votës së lirë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma bëri të ditur se, votimet e Edi Ramës për të mos lejuar zgjedhje në partinë e tij, janë më shumë se çështje e brendshme e Partisë Socialiste, pasi qëkur kjo alibi leifeniane u shpall e derisa u mbyll, pati dhunim të votës.
Të gjitha shkeljet e evidentuara nga OSBE-ODIHR në raportin zyrtar për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ishin të pranishme në votimin e djeshëm. Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama pasi u ka besuar drejtimin e partisë. Presioni ndaj administratës ishte skandaloz pasi jo vetëm u monitoruan me lista kush votonte, por u thirrën dhe u kërcënuan të gjithë nëpunësit që nuk patën ndërmend të votonin”, u shpreh Duma.
Manipulimi nisi me listat që në fillim, të cilat u krehën dhe u sistemuan, që të ishin aty vetëm besnikët e Edi Ramës. “Manipulimi vazhdoi me shpalljen e rreme të pjesmarrjes, duke zmadhuar shifra sipas hesapit të Ramës, pasi askush nuk pati akses të verifikonte saktësinë e tyre.Vota u ble nga oligarkët milionerë të Ramës, deputetët biznesmenë dhe kryetarët e bashkive u hodhën në aksion që me zgjedhjen e delegatëve e deri dje pasdite vonë. Të gjithë të inkriminuarit u bashkuan rreth kauzës, për ti siguruar kumbarit Rama sundimin e partisë pa garë e pa zgjedhje. Të gjitha këto shkelje, dhunime, abuzime, janë tipari i një armiku të konfirmuar të votës së lirë, siç është Edi Rama”, tha ajo.
Dhunimi i votës dje, tregon raportin që ky njeri ka me zgjedhjet, të vetmin raport që ka me votën, që është blerja, manipulimi, dhunimi. “Kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet që po vijnë pasi është e qartë se Edi Rama ka vetëm një projekt, shkatërrimin e tyre. Ndaj Partia Demokratike është e vendosur së bashku me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë të mos lejojë për asnjë moment që skemat e Edi Ramës kundër votes së lirë të zbatohen në zgjedhjet që po vijnë. Vota e lirë, zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i tij. Një fund që ai nuk ka për ta ndalur dot sado të përpiqet”, përfundoi Duma.

Artikulli paraprakKomunist mos mu boft as qeni shpis!
Artikulli tjetërBasha: Dalja nga kriza nis me ndarjen e pushtetit nga krimi dhe kthimin e parave