Me kokën tek “retë”

Derrick de Kerckhove

Historia e kujtesës perëndimore nis me Platonin, që e konsideronte shpikjen e të shkruarit një “burim injorance”, pasi njerëzit, duke u mbështetur mbi spostimin e kujtesës jashtë vetes, në gjërat e shkruara, do të harronin të kujtonin gjërat brenda vetes. Kohët e fundit, Marino Niola ka deklaruar se, “gjendemi përballë një delokalizimi të kujtesës. Ajo pushon së qeni një pronë personale, një lojë sinapsesh individuale, për t’u transferuar mbi një mbështetje kolektive. Fillimisht tabela prej dylli apo pergamena, më pas libri, sot harddisku”. Po ta mendosh, taksistët e lirë të Romës nuk e zotërojnë qytetin, njohin vetëm navigatorin, zërin e ëmbël të guidës, “Ajo”. Dhe ti, lexues, nuk e kujton numrin e telefonit të partnerit tënd. Siç ka shkruar Umberto Eco, e vërteta është se po humbasim kujtesën, “atë personale, të gllabëruar nga iPad-i dhe atë kolektive, ndoshta prej përtesës se nuk duam të kuptojmë të kaluarën për të kuptuar të tashmen”. Ka qenë pikërisht Umberto Eco ai që e ka spostuar mbi diferencën e madhe midis kujtesës personale dhe asaj kolektive. Ndërkohë, çfarë nënkupton e kaluara jonë? Është e kaluara personale, një akumulim përvojash (përfshi ato që na dhuron leximi i një romani apo të shikuarit e një filmi) dhe ajo kolektive, akumulim faktesh, qofshin ato të vërtetë ose falsë, të imagjinuar apo realë, që ndajmë heshturazi me të tjerë, që kemi në mendje apo që mbajmë në ekranet tona. Kur isha i ri, kujtesa personale dhe kujtesa kolektive qenë të bashkuara në personin tim, ndërsa kuptoja gjithnjë e më shumë fakte dhe fitoja përvoja të mëdha. Njohja e së kaluarës ishte pjesë.
Kurse tani, duke e kthyer në dixhital online, kujtesa kulturore emigron krejtësisht jashtë trupit tim dhe shkon në cloud. Quhet “amnezi dixhitale” nga përdorimi i tepruar i Google dhe i smartfonëve. Një studim i Kaspersky Lab, një prej kompanive më të rëndësishme në prodhimin e softuerëve për sigurinë informatike, ka zbuluar se 71% e prindërve nuk i mbajnë mend numrat e fëmijëve të tyre. Më shumë se gjysma e 16–24-vjeçarëve të monitoruar në investigim ka deklaruar se mban me vete gjithçka që ka nevojë të dijë apo kujtojë, duke qenë se i ka hedhur në pajisjet e veta. Tani, kujtesa personale është gjithmonë e përbërë nga përvoja, kurse ajo dixhitale gjithmonë e përbërë nga nocione, nga fakte. Duke ndarë faktet e përvojës, dixhitalja dobëson rezistencën psikologjike të njeriut. Për shkak të kësaj ndarjeje të çuditshme midis fakteve dhe përvojave, faktet nuk jetojnë tashmë brenda nesh. Janë proporcionet midis kujtesës kolektive dhe personale, dixhitale apo mendore, ato që përbëjnë diferencën midis pasjes të një të kaluare apo jo. Adultët e rinj të sotëm kanë më shumë përvoja sesa fakte, këta të fundit janë gjithmonë në dispozicion, e kotë të humbasësh kohë që t’i kujtosh.
Ekziston ndonjë problem? Po. Mospasja e një kujtese historike ose kulturore apo mosgjetja e referimeve pa i kërkuar në rrjet është një ftesë për katastrofa. Boshatisja e kujtesës së njerëzve i privon nga pika krahasimi, nga ato referime të nevojshme e të pranuara që i mundësojnë të marrë një vendim. Në pjesëmarrjen imediate dhe të përhershme që bëjmë me botën dixhitale, në përshpejtimin e vazhdueshëm dhe në total surround e informacionit, zhduket intervali i nevojshëm për të pasqyruar dhe mbështetur pikëpamje. Si t’i rezistohet për shembull populizmit në rast se nuk kemi një pikëpamje? E pamundur. Përgjigjja, sigurisht e rrezikshme dhe po aq e ngutur, është për pasojë pranimi instinktiv i premtimit për ndryshim. Është paradoksale, por e gjitha kjo po eksplodon pa pasur një vetëdije të përhapur. Pyetja urgjente për t’u bërë atëherë është nëse ndonjë lloj të kaluare do të ekzistojë apo jo ende në të ardhmen tonë. Dija e brendshme është mbi bazë biologjike, mendore, kurse ajo e jashtme është teknike, domethënë virtuale. Nuk duhen ngatërruar aksesi dhe përmbajtja. Databaza quhet (për sinekdoka) “kujtesë”, por kujtesën si funksion njohës e posedon vetëm njeriu. Ekranet (dhe tastierat) janë pika kalimi dhe shkëmbimi midis këtyre dy modaliteteve të njohjes.
Me ekstrenalizimin e të gjitha të drejtave tona ndodh një zhbalancim midis njohjes së brendshme dhe të jashtme. Nuk mund të kthehesh prapa. Parimisht, në kulturat orale, dija e përbashkët ishte më e rëndësishme sesa ajo individuale. Shkrimi, që ka mundësuar përvetësimin e të folmes dhe të dijes, ka bërë që të rriten me shpejtësi mendjet, inteligjenca dhe imagjinata e skribëve. Sot, pjesa më e madhe e strategjive njohëse të fituara me alfabetin kanë emigruar në rrjet, janë “rritur”, rafinuar dhe lidhur me të gjithë kujtesën e botës, një kujtesë dixhitale që po ndryshon ekuilibrin midis kujtesës personale dhe kujtesës publike.
Çfarë ndodh me një njerëzim pa bagazhe? Dixhitalizimi i njohjes po e gllabëron përmbajtjen e kujtesës biologjike, personale. Boshatisemi nga brenda pa e kuptuar. Jo vetëm kujtesa jonë është jashtë trupit tonë, por bëhet pronësi publike në një vetëdije të lidhur dixhitale. Vetëdija dixhitale është gjithë ajo që dimë për ty që ti nuk e di! Është totaliteti, gjithmonë në rritje, i të dhënave që lëmë në çdo lëvizje, çdo gjest, çdo fjalë on apo offline. Shuma virtuale e këtyre të dhënave është përkufizimi ynë i pavullnetshëm. Shërben për të përkufizuar fatin tonë, të artikuluar sipas sistemeve të motorëve të kërkimit apo të Data ose Predictive Analytics. Vetëdija dixhitale është aq e fuqishme në përcaktimin e sjelljes tonë sa ajo e imagjinuar nga Freud.
Platoni nuk e kishte kuptuar se vënia në dispozicion e shumë kujtimeve individuale, qofshin ato dije, histori, mite apo fiksione të tjera, do të shkaktonte rritjen shumë më të shpejtë të pasurisë shkencore, politike, ekonomike dhe sociale të të gjithëve. Kështu ka ndodhur, për të ardhur deri tek ne, tek dixhitalja, kur tendenca për ta eksportuar përmbajtjen e mendjes tonë ka arritur rrjetin dhe databazat. Duke çuar aty kujtesën tonë afatgjatë, duke spostuar tekste, lexime, pamje, video, rrugëtime, në telefon dhe jashtë koke, edhe një herë akoma çlirojmë mendjet tona, për të hyrë në drejtime të reja falë aksesit ndaj të gjithë dijes së botës. Mirë apo keq, nuk mund të kthehemi prapa. Më mirë të dimë sesi të ecim përpara.

(Derrick de Kerckhove është profesor në Departamentin e Frëngjishtes në Universitetin e Torontos në Kanada. Ka qenë drejtor i Programit McLuhan për Kulturën dhe Teknologjinë nga 1983 deri më 2008)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakZgjedhjet, “Rama nuk ka faj”
Artikulli tjetërZgjedhjet të rrezikuara