Zgjedhjet të rrezikuara

Bledi KASMI

Rreziku i ditëve të fundit të fushatës mund të hedhë në erë të gjithë procesin elektoral. Janë ditët më të vështira të një sistemi kanceroz të blerjes së votave me paratë e krimit dhe të drogës që është ngritur në sistem gjatë këtyre katër viteve në të gjitha proceset zgjedhore.
Sistemi është aktivizuar. Humbësi i zgjedhjeve e ka të vështirë të pranojë disfatën në fushën e betejës me votë të lirë dhe po kërkon të shpëtojë, duke aktivizuar kontigjentin e blerësve të votës. Në Kavajë, vota po blihet me 100 mijë lekë dhe në krye të operacionit është përdhunuesi i Kavajës, i cili blen edhe votat për zgjedhjet parlamentare edhe ato për Bashkinë.
Situata paraqitet mjaft problematike edhe në Tiranë, Elbasan, Durrës, Dibër dhe thuajse epidemia ka përfshirë të gjithë vendin, duke u kthyer në një sëmundje që mund të çojë në morg procesin elektoral dhe bashkë me të edhe stabilitetin e vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pranoi mbrëmë në takimin me Task-Forcën monitoruese të zgjedhjeve fenomenin e blerjes së votave. Ai raportoi edhe për arrestime në disa dhjetëra raste. Deklarata e drejtorit të Policisë duhet vlerësuar.
Për të parën herë në këto katër vite kemi një qëndrim zyrtar të Policisë që pranon fenomenin e blerjes së votave. Ndonëse blerja e votave ka ndodhur edhe në proceset e mëparshme elektorale gjatë këtyre katër viteve në asnjë rast Policia nuk pranonte fenomenin. Tani jemi përpara një prove dhe pyetja shtrohet se deri në çfarë niveli do të përparojë blerja e votave gjatë ditëve të ardhshme?
Këtë askush nuk mund ta parashikojë. Ministria e Brendshme ka vendosur në dispozicion të qytetarëve numrat publikë për të denoncuar blerjen e votave, duke paralajmëruar edhe reagime të forta. Situata pritet të rëndohet nga ora në orë.
Nuk do të jetë e lehtë për Policinë dhe shërbimet e tjera të sigurisë që të parandalojnë këtë krim elektoral përsa kohë nuk ka një reagim publik dhe vullnet politik të autorëve kryesorë të politikës në pushtet.
Dy bashkëkryetarët e qeverisë, Rama dhe Vasili do të duhet të deklarohen dhe të dënojnë fenomenin e blerjes së votave. Ky do të ishte një mesazh për të gjithë taborin e ushtrisë së krimit që është aktivizuar në këto orë të fundit për të pastruar paratë e vjedhura shqiptarëve me blerjen e votave.
Nëse nuk do të kemi një reagim publik nga aktorët kryesorë politikë, atëhere është e kuptueshmne se kush qëndron pas këtij krimi elektoral, por edhe pasojat e këtij krimi mund të jenë të paparashikueshme për zgjedhjet.
Pushteti i shndërruar në një luftë bandash gjatë këtyre ditëve ka pak mundësi që të tërhiqet. Mund të parashikohet një rëndim i situatës ku beteja për ekzistencë e një koalicioni të diskretituar përpara shqiptarëve tani ka degjeneruar dhe kjo duhet denoncuar me forcë.
Reagimi duhet bërë sot, nesër do të jetë vonë. Zgjedhjet janë të rrezikuara dhe institucionet duken mjaft të dobëta për të ndalur mekanizmin e lukunisë së krimit të veshur me pushtet për blerjen e votave

Artikulli paraprakMe kokën tek “retë”
Artikulli tjetërFaqja e pare