Korrupsioni, KLSH rekomandon 65 propozime për ndryshime ligjore

Nga inspektimet e ushtruara më 2016 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar gjithsej 65 propozime për ndryshime ligjore. Sipas burimeve zyrtare në KLSH këto ndryshime janë propozime për amendime në korniza ligjore, si në rastin e ndryshimeve apo përmirësimeve të kërkuara për konsolidimin fiskal, raportimin financiar në sektorin publik, ndërhyrjet në ligjin e buxhetit dhe plotësime në ligjin për huamarrjen, skemën e sigurimeve shoqërore, etj., por edhe në përmirësime të kuadrit të brendshëm rregullativ të institucioneve me synim forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike.
Nga 65 propozime të rekomanduara Kontrolli i Lartë i Shtetit pohon se janë pranuar 62 ndërhyrje, nga të cilat rezulton se vetëm 10 janë zbatuar, pra rezulton se vetëm 16% e rekomandimeve të pranuara janë zbatuar. KLSH vë në dukje se, ky nivel i ulët tregon se jo të gjitha rekomandimet për përmirësime kornizash rregullative kanë marrë vëmendjen e duhur nga institucionet e audituara. Ajo që është konstatuar nga ndjekja e këtij grupi rekomandimesh është që institucionet ngrenë grupet e punës për të deklaruar statusin e rekomandimit në proces, por procesi vijon për vite.
Sipas institucionit më të lartë kontrollues, kjo ecuri të bën të gjykosh se raportimi që subjektet bëjnë pranë KLSH, ka një nivel të shtuar të formalitetit në vend të trajtimit të këtyre rekomandimeve. Nga auditimet e realizuara gjatë vitit 2016 janë konstatuar shkelje dhe parregullsi financiare që i përkasin periudhës objekt auditimi 2013-2016. Në total shkeljet e konstatuara kanë patur një efekt negativ për shtetin në shumën 72,328 milionë lekë ose afërsisht 534 milionë euro.
Parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera të konsideruara si dëm ekonomik ishin në shumën totale prej 25,478 milionë lekë (188 milionë euro). Ndërsa si shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në të ardhura në shumën 10,925 milionë lekë dhe në nivelin e shpenzimeve në shumën 36,950 milionë lekë, në një total prej 46,844 milionë lekë (346 milionë euro).
Nëse do të analizojmë dëmin sipas sektorëve vërejmë se niveli më i lartë i dëmit edhe për këtë vit është ai i shkaktuar në administrimin e pronës shtetërore dhe koncesionet (kryesisht në fushën e administrimit të sektorit hidrokarbur), në vlerën 15,671 milionë lekë ose 62% të vlerës totale të dëmit të rekomanduar për zhdëmtim.

Artikulli paraprakShpëtoni Gjirokastrën!
Artikulli tjetërÇmimet 2.7% më të larta se sa janari i vitit të kaluar