Kinezët marrin Aeroportin e Rinasit

Tirana International Airport (TIA) njofton se “China Everbright Limited” (CEL kodi i aksioneve në bursë: 165.HK), një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, merr në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s. “Me kënaqësi njoftojmë një epokë ndryshimi me China Everbright Limited”, u shpreh z. Rolf Castro-Vasquez, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s. “Ortakët tashmë në ikje, AviAlliance, DEG dhe AAEF, si edhe të gjithë punonjësit kanë punuar për zhvillimin e aeroportit dhe me krenari i kanë shërbyer pasagjerëve të tij, duke ofruar standarde bashkëkohore. Shpresojmë për zhvillime të mëtejshme me ortakun e ri China Everbright Limited, duke ofruar atë për të cilën kanë nevojë dhe dëshirojnë udhëtarët tanë”, shtoi ai.
Duke filluar nga data 23 prill 2005, e gjithë përgjegjësia për zhvillimin, operimin dhe menaxhimin e Tirana International Airport “Nënë Tereza” ka qenë në dorën e Tirana International Airport SHPK (TIA), me ortakët AviAlliance GmbH (më parë e njohur si HOCHTIEF AirPort GmbH), DEG – Deutsche Investitions- und Entwicklungsgesellschaft mbH (DEG) si dhe Albanian-American Enterprise Fund (AAEF).
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i CEL-it, Z. Chen Shuang, u shpreh se “Me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe stafin menaxherial të TIA-s, CEL ka kënaqësinë të mbyllë procesin e blerjes së Tirana International Airport. Blerja përbën një metodë proaktive të korporatës për të identifikuar mundësi të mira investimi në infrastrukturë, e cila përputhet me Nismën e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë. Kjo shënon gjithashtu lëvizjen e parë të Fondit të Infrastrukturës China Everbright, i cili është në proces themelimi. Me mbështetjen dhe burimet e CEL, TIA mund të zhvillojë më tej facilitetet dhe pajisjet e saj, për të bërë dallim të shkëlqyer në çdo aspekt. Gjithashtu, me lidhjet e shumta të CEL në Kinë, ne besojmë se tregtia dhe turizmi dhe ndërmjet dy vendeve do të promovohet më tej. Për këtë arsye, kjo blerje ka një domethënie dhe vlerë të veçantë”, tha ai.

Artikulli paraprakGjashtë ushtarë amerikanë në trafikun e armëve
Artikulli tjetërHetim ndërkombëtar për ndërtimin në park