Këshilltarët e djathtë: “Veliaj braktisi qytetarët”

Kanë ndodhur dhjetëra aksidente këto ditë në Tiranë në rrugët dhe trotuarët e ngrirë. Kanë qenë këshilltarët e djathtë bashkiakë, që panë nga afër bllokimin e rrugëve dhe trotuareve në një nga hyrjet kryesore të kryeqytetit, në Rrugën e “Elbasanit”. Zoti Leonard Olli denoncoi braktisjen që qeveria dhe bashkia i kanë bërë qytetarëve, duke mos pastruar rrugët, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra aksidente. Mosmarrja e masave paraprake dhe vazhdimi i kësaj situate edhe gjatë ditës së sotme, kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre. Sipas kreut të këshilltarëve të djathtë pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës, u deshën vetëm pak minuta rreshje debore dhe shumë pak centimetra kanë mjaftuar për të bllokuar gjithçka në kryeqytetin e Shqipërisë. Janë këto kushte që i nxorën bojën bashkisë virtuale dhe qeverisë së fasadave.
“Sot, tha zoti Olli, shumë nga kolegët tanë kanë monitoruar që në orët e para të mëngjesit trafikun në Tiranë dhe jua them me garanci skurse e ka pasqyruar dhe media. I gjithë qyteti ishte i ngrirë”.
Nga vëzhgimi i këshilltarëve bashkiakë doli se, në kryeqytet nuk u mor asnjë masë për të hedhur pak kripë sa për të penguar ngrirjen e të gjithë akseve qëndrore dhe sekondare në kryeqytet. Ndërkohë, që qytetarët u përpoqën t’i zgjidhnin vetë problemet e dala nga moti, Veliaj, stafi i tij dhe sigurisht shefi Rama flinin gjumë dhe gëzonin ëndrrat se gjerat shkojnë shumë mirë.
Në këtë deklaratë nënvizohet se, vetëm pak centimetra borë vunë jetën dhe pronat e qytetarëve në rrezik. Me dhjetëra aksidente automobilistike. Në orët e natës, mungesa e shtetit, mungesa e bashkisë është bërë shkak për dhjetëra aksidente. Mungesa  e shtetit, mungesa e Bashkisë është bërë shkak për paralizimin e plotë të transportit publik. Mungesa e Bashkisë dhe papërgjegjshmëria kriminale e kryebashkiakut Veliaj gjunjëzoi kryeqytetasit në kushtet e një moti aspak ekstrem. Imagjinoni sikur Tirana të ishte në kushtet e motit të një qyteti tjetër si psh Korça se çfarë do të ndodhte. Ndërkohë shumë jetë janë vënë në rrezik nga mungesat e urgjencave spitalore, sepse mjetet e transportit të urgjencave nuk mundën të qarkullonin.
Me të drejtë zoti Leonard Olli shpreh shqetësimin në të njëjtën kohë për gjendjen e mjeruar të infrastukturës së vendit në këtë dimër të vështirë kur thotë: “Dhe kur kjo situatë paralizuese ndodh në zemër të Shqipërisë, imagjinoni se çfarë po kalojnë zonat e thella. Ka vetëm një përgjegjës dhe ky është Veliaj, i cili në vend që të merret vetëm me administrimin e qytetit tenton, duke vjedhur projekte, duke riinauguruar punë publike të parardhësit të tij, të tentojë kreun e PS, por sigurisht duke braktisur tërësisht besimin e qytetarëve të Tiranës që i dhanë për menaxhimin e qytetit. I bëjmë thirrje Bashkisë për të hedhur sa më parë kripë në rrugë dhe trotuare”.

Artikulli paraprakKryeministër “kazanësh”
Artikulli tjetër4,5 ton drogë kapen në Itali e Greqi për 10 ditë