4,5 ton drogë kapen në Itali e Greqi për 10 ditë

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që aktualisht është kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike ka ngritur zërin sot nga selia e kësaj partie për kartelin qeveritar të drogës që po vazhdon aktivitetin pa ndërprerje. Ai ka shpjeguar me data dhe fakte në deklaratë se trafiku i drogës nga Shqipëria për në vendet fqinje është intensifikuar shumë në ditët e para të Vitit të Ri. Ky vit është vit elektoral dhe fakte të tilla vërtetojnë se, mafia e lidhur me qeverinë po nxitojnë për të rritur fitimet përmes trafiqeve të jashtëligjshme dhe me shumat e parave të fituara mendojnë të kapin zgjedhjet e qershorit.
«Në 10 ditët e para të këtij viti, tha Alibeaj, rreth 4 ton e gjysëm drogë, kanë kaluar përmes kufijve të Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Në Otranto, Torre-Veneri, Napoli, Leçe, Brindizi, kanë mbërritur rreth 4 tonë drogë në këto 10 ditë, të kapura e të sekuestruara nga policia italiane. Po ashtu, në Igumenicë, Selanik, Kostur, janë kapur rreth 500 kg drogë, nga policia greke. Afërsisht 4 tonë e gjysëm, në 10 ditë, vetëm sasia e kapur, e sekuestruar». Siç del edhe nga deklarata për t’u theksuar është se kjo sasi droge është vetëm një pjesë e vogël e asaj që kalon çdo ditë nga brigjet dhe kufijtë e vendit tonë. Vetëm dedikimi i forcave të rendit në Itali dhe Greqi kanë bërë që kjo sasi të kapet, ndërkohë që qeveria shqiptare bashkëpunon me trafikantët. Duket se, në sajë të qeverisë Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të qershorit si Kolumbia e Europës, duke u bazuar tek shifrat dhe gjendja e rendit.
“Këto të dhëna tronditëse, dëshmojnë qartë se karteli qeveritar i drogës vazhdon pa ndalesë aktivitetin dhe qeveria, Rama e Tahiri, i ofrojnë atyre rregullisht lehtësitë për ta transportuar brenda vendit, e për të kaluar kufijtë tanë. Të dhënat, dëshmojnë se droga mbetet edhe për këtë vit alternativë e Edi Ramës, dhe angazhimi kryesor i Tahirit të tij. Koha ka ardhur për ta larguar këtë të keqe, e për të sjellë një qeveri që krijon mundësi për zhvillim e punë të ndershme”, theksoi Alibeaj, duke publikuar edhe statistikat zyrtare si më poshtë:

Lëndë narkotike e nisur nga Shqipëria, e kapur në Itali, 1 – 11 janar 2017
1 janar 2017- Në veri të Otrantos, Guardia Di Finanza sekuestron 400 kg marijuanë;
4 janar 2017- Në Torre Veneri, San Kataldo, provincë e Leçes Itali, Guardia Di Finanza ka sekuestruar 510 kg marijuanë;
9 janar 2017 – Në Napoli 700 gram heroinë;
10 janar 2017 – Në Leçe në Itali, 700 kg marijuanë në një gomone të braktisur në San Basilio;
11 janar 2017 – Në Brindizi, 200 kg marijuanë;
11 janar 2017 – Në Brindizi, sekuestrohen nga Guardia di Finanza 1.9 ton marijuanë;
11 janar 2017 – Në Modena 2 kg heroinë e ardhur nga Shqipëria.

Droga e kapur në Greqi
02 janar 2017 – Në Igumenicë, 213 kg e 930 gr marijuanë të ardhura nga Shqipëria;
03 janar 2017 – Në Selanik sekuestrohen 51 kg e 984 gr marijuanë;
08 janar 2017 – Në Kostur 10 kg e 420 gr marijuanë;
09 janar 2017 – Në kufirin greko-shqiptar sekuestrohen nga policia greke 22 kg e 300 gr marijuanë;
11 janar 2017 – Në kufirin greko-shqiptar, 89 kg e 250 gr marijuanë.

Artikulli paraprakKëshilltarët e djathtë: “Veliaj braktisi qytetarët”
Artikulli tjetërSituatë dramatike nga bora, Veriu i braktisur nga qeveria