Kërcënon De Biasi

Është i qartë trajneri Gianni De Biasi në deklaratën për shtyp përpara ndeshjes kundër Bosnje Hercegovinës ku edhe një herë, vëmendjen më të madhe e tërhoqi çështja “Xhaka”. Drejtuesi i stolit kuqezi nuk zgjodhi t’i kundërpërgjigjej me një gjuhë të ashpër mesfushorit, duke ritheksuar pothuajse ato çfarë tha menëherë pas kthimit nga Italia. Sipas De Biasit, zgjedhja e Xhakës ishte për t’u larguar nga Kombëtarja dhe ai e respekton.
“Trajneri është 60 vjeç, ndërsa Xhaka 27 dhe trajneri kujdeset për lojtarët e tij, ndoshta ata jo për veten e tyre. Ka rregulla për të qëndruar në grup, i pari është të respektosh shokët dhe vendimet e trajnerit. Nëse dikujt i duket vetja më i mirë mjafton ta tregojë në fushë. Unë ua kam dhënë mundësinë të gjithëve, por nëse mendon se duhet të luajë gjithmonë, kjo është një çështje tjetër që nuk më takon. Kombëtarja ka një president dhe një trajner që thërret lojtarët, por jo të 23 mund të luajnë dhe unë duhet të kujdesem për të gjithë. Nëse dikush vetpërjashtohet atëherë nuk është puna ime, unë jam mësuar të përballem me vështirësitë. Nëse paraqitesh mirë te skuadra ku luan nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të luash me përfaqësuesen”, u shpreh De Biasi.
Për të vërtetuar këtë teori, De Biasi mori shembullin e dyshes Ajeti-Veseli që sipas tij nuk aktivizohen rregullisht me klubet e tyre, por në Palermo bënë një paraqitje pozitive dhe kjo tregon se ata janë e ardhmja e Kombëtares. Në vijim, ai u kujdes që të vinte theksin edhe një herë në vendimet që sipas trajnerit janë ekskluzivitet vetëm i tij dhe ata që nuk i respektojnë, mund të zgjedhin një rrugë tjetër.
“Jam pjesë e futbollit prej shumë kohësh. Jam një njeri që e kam mbajtur fjalën edhe në momentet më pak të mira. Kam një marrëdhënie të veçantë me lojtarët e mi dhe nuk jam i influencuar nga thashethemet që qarkullojnë shpesh. Zgjedhjet i bëj unë, nëse dikush nuk është dakort është i lirë të largohet. Këtu nuk mungon disiplina, madje është e kundërta. Këtu po flasim për lojtarë që kanë shumë dëshirë të japin kontributin e tyre, nëse nuk dëshirojnë mund të largohen, është zgjedhja e tyre”, tha ai.
Sfida e radhës ndaj Bosnje Hercegovinës do t’i shërbejë drejtuesit të stlit kuqezi për të marrë sa më shumë përgjigje nga grupi pak muaj përpara duelit me Izraelin. “Do të përpiqemi të arrijmë një rezultat pozitiv, por do të kërkojmë të integrojmë edhe elementë të rinj. Kjo ndeshje për ne është një test, sepse përballë kemi një skuadër shumë të fortë ndaj se cilës duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Jam i fokusuar që tani për sfidën e qershorit në Izrael dhe kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për atë përballje”, tha italiani.
Në fund, De Biasi ritheksoi edhe një herë se është presidenti i federatës Armand Duka, ai që duhet të hedhë hapin e parë për çështjen e kontratës.

Artikulli paraprakFlet Bazdarevic e Pavloviç: Shqipëria prova e vërtetë!
Artikulli tjetërBerisha e Balaj kandidojnë për Bosnjen